Me rinovimin e hapësirave të laboratorit në Institutin e Anatomisë Patologjike në Institutet Paraklinike të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës vitin e shkuar, kapaciteti i punës është rritur ndjeshëm, kurse koha dhe procedurat për të fituar prerje dhe ngjyrime indore kualitative, të domosdoshme për vendosjen e diagnozave në patologji, është shkurtuar dukshëm, bënë të ditur, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës
Laboratori i rinovuar është një investim që kap vlerën e 575 mijë eurove, i mbështetur nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, Ministria e Shëndetësisë e Republikës së Kosovës dhe donatorët si: Organizata Care for Kosovo Kids, Ambasada e Holandës në Kosovë, Fondacioni Salem Ermelo dhe miqtë e organizatës Care for Kosovo Kids.
Pas sigurimit të aparaturave adekuate dhe materialit shpenzues, nga viti 2021 në Laborator të Patologjisë kryhen edhe analizat për In Situ Hibridizim dhe imunomarkerë, të cilat kërkohen nga onkologët për të aplikuar terapinë adekuate bashkëkohore te pacientët me kancer.
Ndryshe, vëllimi i shërbimeve të ofruara në Institutin e Anatomisë Patologjike nё vitin e shkuar, ka qenë më i lartë për 30%, krahasuar me vitin 2020.
Janë realizuar 10 mijë e 503 biopsi, 932 ekzaminime citologjike, 3 mijë e 958 Pap Teste, duke përfshirë këtu edhe mbështetjen për programin nacional të “Skriningut për Kancer të Qafës së Mitrës”, 4 mijë e 513 analiza imunohistokimike, dhe 9 analiza me In Situ Hibridizim, bënë të ditur Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës. /2LONLINE/