Udhëheqësit e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Kemajl Azizi”, janë pritur në një takim nga kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, pas rezultateve të arritura në Festivalin tradicional “Anadrinia Jehon” që mbahet në Dejnë të Rahovecit.
Në edicionin e 17-të të këtij Festivali, Ansambli “Kemajl Azizi” u vlerësua nga juria profesionale me vendin e parë, ndërkohë që anëtarët e saj morën çmimet kryesore.
Solistja më e mirë u vlerësua Merita Sahiti, kurse valltari më i mirë Patriot Osmani.
Për këtë të arritur, kryetari Haliti i ka përgëzuar udhëheqjen dhe anëtarët e këtij Ansambli, duke theksuar se ky rezultat dhe vlerësimet e mira në festivale brenda dhe jashtë Kosovës, janë produkt i angazhimit dhe përkushtimit të anëtarëve të A.K.V “Kemajl Azizi”.
Kurse Adnan Zenuni kryetar i Ansamblit, ka njoftuar për rezultatet e arritura gjatë 4 muajve të fundit, duke përmendur edhe pjesëmarrjen në Festivalin e Vjenës, ku janë vlerësuar lartë për prezantimin e suksesshëm skenik, ndërkohë edhe për suksesin e arritur në Festivalin folklorik të fëmijëve “Brez pas Brezi” që u mbajt muajin e kaluar, e ku anëtarët e rinj të këtij Ansambli morën çmimin e Publikut.
Për këtë, Zenuni ka vlerësuar lartë punën e valltares Mimoza Shabani, që po merret me këtë kategori dhe me shumë sukses po arrin të nxjerrë talent të rinj të skenës së vallëzimit.