Monedhat ilire, mineralet e “Trepçës” dhe lufta e 1999-s
Shkruan: Ilir Muharremi
Ditë më parë në galerinë private “Monet” në kryeqytet u hap ekspozita personale e artistit Sali Shkupolli, “Arkeologjia dhe monedhat ilire”.
Në versionin e tij ai sjell monedhat ilire të cilat datojnë nga shek. IV para erës sonë e deri në mesin e shek. III para erës sonë. Punimet përmbajnë monedha mollose nga bronzi të tipave mburojë-rrufe dhe pallas-shqiponjë, të prera para vitit 342 para erës sonë, shkruan sot Koha Ditore.
Ka edhe imazhe monedhash të qytetit të Epirit Eleia e tipit pegaz-tredhëmbësh e prerë para v. 340 p.e. sonë, monedha kopje të Korinthit një tri drahme e tipit Athina-Pegaz dhe tri drahme të tipit Aferditë Pegaz, të prera midis v. 400-338 p.e.s. monedhe të Korkyrës, nga të cilët disa janë me argjend të tipit amforë-yll tetëcepash të prera para v. 300 p.e.s. monedha argjendi të Dyrrahut të tipit Herakli-Pegaz (v. 320-270 p.e. sonë), një monedhë argjendi gjysmë drahme e Istiesë së Eubesë e tipit Menade Nymfe (v. 313-265 p.e. sonë, një bronz i qytetit Neapol të Kampanjës i tipit Apollon — Dem i prerë para v. 340 p.e sonë dhe një bronz i Agathokliut te Sirakuzës, që i përket periudhës së dytë të viteve 310-307 p.e.s.
Specifikë tjetër në punimet e Shkupollit janë monedhat ku vihen re portretet e femrave me kurorë ulliri mbi kokë. Nga ato vërejmë se ato qarkulluan me prejardhje të ndryshme nga vendet e ndryshme. Vërej një monedhë prej argjendi të ngjitur në kanavacë, është figura e lopës me kokën e kthyer nga viçi që pi gjinjtë e saj. Mbi lopën është figura e një nofulle derri të egër. Në shpinën e monedhës është një fushë katrore e ndarë në dy katërkëndësha të mbushur simetrikisht me zbukurime në trajtë kokrrizash e bishtash, e gjitha e rrethuar zakonisht nga një kornizë. Mbi dy nga brinjët e kornizës është emri i mbretit në rasën gjinore. Por jemi gjithmonë në fushën e mitologjisë. Pastaj, kemi viçin i cili thith gji nga lopa.
Kur Monuni e pushtoi Dyrrahun, ai vendosi si heraldikë triumfuese pikërisht nofullën e derrit të egër mbi simbolin e mëparshëm të monedhës me lopë dhe viç. Një alternativë e tillë shpjegimi është plotësisht e mundshme. Kjo do të përbënte një invers të vetë mitit të Meleagrit. Këto janë dy shpjegimet e hapura për diskutim.
N
ë faqen e prapme të monedhave bëhet fjalë për simbole ende të pazbërthyera. Kemi edhe zbukurimet gjeometrike brenda kornizës që përfaqësojnë Kopshtin e Alkinoit, kurse disa të tjerë dy yje, që lidhen me heronjtë binjakë Dioskurë. Këtyre miteve u duhet shtuar edhe miti i kryehershëm i themelimit legjendar të Dyrrahut prej heroit Herkul. Skalitja e armëve të Herkulit flet për këtë. Kurse figura e zogut Kurillë mbetet ende e pashpjegueshme jo vetëm në monedhat e Shkupolit, por edhe në literaturë.
Në monedhat e Monunit gjejmë historinë e tij të pashkruar, triumfin e tij shtetëror, novacionin që për herë të parë një mbret ilir pret monedha autonome, si dhe një gjuhë figurative të pasur dhe plot imagjinatë të strukturave të disa miteve të mëdha antike.
ARTI PËRZIHET ME SHKENCËN DHE MITOLOGJINË
Kemi edhe monedhën e argjendtë të tipit Herakli-Pegaz monedhë të cilën Dyrrahu e nxori në treg për të qarkulluar kryesisht në krahinat e brendshme të Ilirisë së Jugut, ku gjendet kurdoherë me shumicë. Të gjitha këto janë gdhendur artistikisht pothuajse në reliev dhe kanë pamje të bronzit, të ndryshkura, të vjetruara dhe të oksiduara. Teknikë të cilën e përdor Shkupolli.
Tjetra në monedha dominon tipi Artemis-majë heshtë, pastaj Zeusrrufe, Dione-trekëmbësh, Heraicklitoputë, Zeus-rrufe e Zeus-Dionegjarpër, Artemis-flakse dhe më të pakta ato të vonat të tipit Zeus-rrufe me emrin (Sostrion.) Andaj, artisti në këtë ekspozitë nuk na sjell monedha të një shpirti modern, por arkeologjik me qëllim të ringjalljes dhe edukimit të brezave të sotëm.
Për t’i analizuar më thellë kërkohet një publik historik-arkeologjik dhe artistik. Dhe, ai i cili rrjedh nga këto profesione do të ndjejë dashurinë e tij ndaj këtyre monedhave. Arti këtu përzihet me shkencën dhe mitologjinë. Arti këtu imiton, riprodhon pamje drejt përsosmërisë dhe plotësisë. Artisti këtu nxjerr në dritë origjinalitetin kulturor ilir, forcat themelore e idealizuese.
MINERALET E “TREPÇËS” DHE LUFTA E 1999-TËS
Ana tjetër e artistit Shkupolli është cikli “Mineralet e Trepçës”. Vend nga i cili vjen vetë artisti. Ai i rreket të së kaluarës, të tashmes dhe së ardhmes. Është një artist i cili me veprat e tij tenton të përmirësojë gjendjen aktuale të mineraleve dhe vlerave të “Trepçës”. Shoh shumë tym, zjarre, vegime, janë të gjitha këto dhimbje të shpirtit të artistit të cili i gatuan me tragjikë dhe dramatikë.Mendimi i tij është protestues, zemërak i mbushur me shumë denoncim.
Ai në këtë cikël sjell një kujtesë shumë drithëruese, bën pothuajse apel human. E shoh një tragjikë të kohës të cilën populli e shndërroi në apel të shpresës. Gjithmonë në këto punime rri ajo se vuajtja e njerëzve duhet të pushojë. Vetë bota e perëndive dëgjoi zërat e nënave, grave, fëmijëve dhe luftën e sinqertë të burrave. Zbriti në tokë dhe tha: “Vuajtja e këtyre njerëzve duhet të pushojë.”
Andaj, në punime erdhi paqja nga stërmundimi, gëzimi nga vuajtja dhe lumturia nga heqja shekullore. Arti i artistit, i cili është gdhendur në relieve me një precizitet, përkushtim, deri në detaje më të thella, sepse zanati edhe arti këtu rrinë tok dhe artisti tregon elemente nga bota e zanatit, sidomos kur punon shabllone dhe gjithnjë integron anën kreative artistike. Çfarë na qenka vallë arti këtu? Fuqi stiluzuese, unitet provokues. Stilizmi gjithmonë gjendet në fillim dhe në fund të epokave artistike.
Qëllimi i punimeve të tij nuk është të imitojë, por të stilizojë dhe të mbajë ngushtë shprehjen domethënëse. Andaj, punimet ngrehin modelin, tipin dhe perfeksionin. Kemi veçimin e subjektit i cili vërtitet me dritën, sepse të gjitha pothuajse janë punuar në reliev. Dhe, si për fund, këto vepra japin përshtypje se fiksioni, hulumtimi shkencor, riprodhimi i së shkuarës po bëhen realitet. Mund të them se është njëra ndër ekspozitat më të veçanta në kryeqytet.