Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Donika Kadaj-Bujupi, pas takimit të grupeve punuese të bllokut VLAN, nuk e ka mohuar mundësinë që blloku VLAN t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për interpretim të pikës 127 të aktvendimit po të kësaj Gjykate.
Ajo ka theksuar se kërkesa drejtuar Kushtetuese për interpretim të 127, është një opsion i hapur, mirëpo sipas saj, të gjitha vendimet për veprimet e mëtutjeshme, do të merren gjatë kësaj jave.
“Sot ishte takim i radhës i grupeve punuese (të bllokut VLAN), ku jemi duke shqyrtuar të gjitha opsionet e mundshme, në mënyrë që sa më shpejt të realizohet vendimi ose qëndrimet e marra në seancën e fundit të Kuvendit. Konkluzionet përmes të cilave deputetët – si individë me mandat të lirë – të ofrojnë zgjidhje, ashtu sikurse është paraparë edhe në vendimin e Kushtetueses. Sot ishte një takim i radhës, i cili do të nxjerrë të gjitha opsionet e mundshme të cilat do të prezantohen para liderëve, që ata te vendosin për veprimet e mëtutjeshme”, ka thënë Kadaj-Bujupi.