/2L ONLINE/ – Ars Clubi “Beqir Musliu” në Gjilan, si asociacion alternativ i shkrimtarëve, ka nisur përgatitjet për manifestimin “Vjeshta letrare”, që sipas kalendarit të organizatorit, zgjat rreth tre muaj.
Sabit Rrustemi, kryesues i Ars Clubit, thotë se këtë vit, manifestimi nis më 10 tetor, ndërsa përmbyllet më 19 dhjetor. Të gjitha veprimtaritë dotë zhvillohen në Gjilan, gjatë muajve tetor-nëntor-dhjetor.
Më 24 tetor prezantohet romani i Albina Idrizit “Për një mëngjes ndryshe”, më 7 nëntor prezantohen poetët Skënder Berisha e Xheladin Rexhepi, më 21 nëntor është portreti letrar i Sarë Gjergjit, më 5 dhjetor – portreti letrar i Mexhid Mehmetit, në 50-vjetorin e krjimtraisë së tij, kurse më 19 dhjetor – veprimtaria letrare dhe studimore e Anton Nikë Berishës, fitues i çmimit të sivjetmë “Beqir Musliu”.
Ars Clubi “Beqir Musliu”, nisur dhe mbështetur nga suksesi i edicioneve të mëhershme, edhe sivjet pret bashkëpunim nga krijeusit, asociacionet tjera letrare si dhe nga institucionet.
“Beqir Musliu”, si edhe në të kaluarën, është i hapur për bashkëorganizim të këtij manifestimi me Komunën e Gjilanit, përkatësisht me Njësinë për Kulturë, Rini dhe Sport, thotë Rrustemi dhe pret përgjigje pozitive nga institucionet komunale. /2L ONLINE/