/2L ONLINE/ – Organizuar nga Ars Clubi “Beqir Musliu”, në Gjilan ka nisur edicioni i gjashtë i manifestimit letrar “Vjeshta letrare e Gjilanit”, në hapje të së cilën ngjarje morën pjesë krijues nga Anamorava dhe viset e tjera të Kosovës si dhe nga Kosova Lindore.
Sabit Rrustemi, kryetar i Ars Clubit “Beqir Musliu”, tha se “Vjeshta letrare”, po e nis rrugëtimin e saj të gjashtë dhe se ky manifestimim letrar për çdo vit po e merr përkrahjen e madhe e po begatohet me krijime të reja.
Ai bëri të ditur se edhe për këtë edicion janë munduar të sjellin vlera, por edhe botime të reja dhe se nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu” janë nxjerrë 16 botime.
Rrustemi tha se “Vjeshta letrare”, është fushata më e madhe për librin dhe me librin dhe se aktivitete do të ketë pothuajse çdo të shtune, deri më 23 dhjetor, kur edhe do të përmbyllet ky manifestim.
Do të ketë prezantime të botimeve të reja, promovim librash e portrete letrare ndërsa aktivitetet do të mbahen edhe jashtë Gjilanit, si në Kamenicë, Prishtinë, e gjetiu.
Në emër të Komunës, Drejtori i Arsimti Nazmi Musa e vlerësoi si një ngjarje të madhe manifestimin “Vjeshta letrare” që ndonëse me epiqendër në Gjilan realisht ka thyer kufijtë për t’u zgjeruar në mbarë Kosovën e më gjerë. Sipas tij, ky manifestim është një frymëzim për krijuesit por edhe një mundësi e mirë që bibliotekat, veçmas ato shkollore, të pasurohen me botimet e reja.
Ibrahim Kadriu vlerësoi lartë aktivitetin letrar “Vjeshta letrare”, si të rëndësishëm edhe për faktin që po bëhet nga një organizëm që mban emrin e Beqir Musliut, për të cilin tha se duhet bërë më shumë. E krijuesi Sinan Sadiku, në emër të organizatorit ka folur nga pak për secilin prej 16 botimeve që janë nxjerrë përgjatë vitit 2015 nga shtëpia botuese “Beqir Musliu”, derisa disa nga krijuesit kanë deklamuar poezi të tyre.
Përndryshe, aktivitetet letrare në kuadër të këtij manifestimi do të vazhdojnë të shtunën e ardhme ku me 24 tetor 2015, ora 12:00, te salla e KK të Gjilanit, do të jemi bashkë me romanin e Albina Idrizit: “Për një mëngjes ndryshe”. /2L ONLINE/