DYLON

Vizitë studimore dhe akademike e UKZ-së në Maqedoninë e Veriut

Vizitë studimore dhe akademike e UKZ-së në Maqedoninë e Veriut
Avatar photo Redaksia

Stafi akademik dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit Juridik të Universitetit Publik “Kadri Zeka” realizuan një vizitë studimore dhe akademike në Maqedoninë e Veriut, me fokus në forcimin e përvojës institucionale të studentëve dhe avancimin e bashkëpunimit ndëruniversitar.

Në kuadër të kësaj vizite, delegacioni i UKZ-së zhvilloi një vizitë studimore në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku profesorët dhe studentët u priten nga Kryetari i Kuvendit, z. Afrim Gashi. Gjatë takimit, z. Gashi ndau reflektime të rëndësishme mbi fuqizimin e shqiptarëve në institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut, si dhe mbi rolin e diplomacisë parlamentare në ndërtimin e stabilitetit, dialogut politik dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

EkoHigjiena

Vizita në Kuvend u udhëhoq nga Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku, ndërsa pjesë e delegacionit ishin studentët  dhe profesorë të Fakultetit të Shkencave Social, si, Syle Ukshini, Avni Rudaku, Blerim Haziri, Refik Ramadani, Arsim Avdiu, dhe sekretari i Fakultetit, Petrit Canaj. Për studentët, kjo vizitë ishte një përvojë e drejtpërdrejtë akademike dhe institucionale, duke pasur mundësinë të kuptojnë nga afër funksionimin e institucioneve parlamentare, rolin e përfaqësimit politik dhe rëndësinë e angazhimit qytetar.

Njëherësh, stafi dhe studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Fakultetit Juridik të UKZ-së realizuan një vizitë zyrtare edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Delegacioni u prit nga Dekani i Fakultetit Juridik të USHT-së, Prof. Dr. Safet Emruli, si dhe nga Prof. Dr. Afet Mahmuti.

Gjatë takimit u zhvillua një diskutim i hapur dhe konstruktiv mbi avancimin e bashkëpunimit ndërmjet UKZ-së dhe USHT-së në disa dimensione akademike dhe institucionale. Në veçanti, u diskutuan mundësitë për vazhdimin e organizimit të konferencave të përbashkëta shkencore, zhvillimin e programeve të mobilitetit për stafin dhe studentët, si dhe inicimin e programeve të përbashkëta studimore, me fokus në ciklin e studimeve master. Të dy dekanët, Prof. Asoc. Dr. Selim Daku dhe Prof. Dr. Safet Emruli, u pajtuan për rëndësinë e vazhdimit të komunikimit dhe koordinimit institucional, me qëllim konkretizimin e këtyre iniciativave në aktivitetet e ardhshme.

Në kuadër të kësaj vizite, stafi dhe studentët e UKZ-së realizuan gjithashtu një vizitë në kampusin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, duke u njohur nga afër me infrastrukturën, ambientet mësimore dhe kushtet e ofruara për studentët dhe stafin akademik të Fakultetit Juridik të USHT-së. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.