Vizitë nxënësve të cilët janë angazhuar në vjeljen e frutave në sipërfaqet komunale
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, së bashku me Nënkryetaren Arta Bajralija dhe Drejtorin e Arsimit, Selami Klaiqi, kanë vizituar nxënësit të cilët janë angazhuar në vjeljen e frutave në sipërfaqet komunale.
Gjatë vizitës Kryetari Rahimaj ka parë nga afër punën dhe përkushtimin e nxënësve të cilët përmes këtij aktiviteti po mësojnë rëndësinë e punës, kujdesit ndaj tokës dhe shfrytëzimit të hapësirave komunale në mënyrë të dobishme.
“Është kënaqësi t’i shohim nxënësit tanë të angazhuar në aktivitete që ndërthurin edukimin me punën praktike dhe që njëkohësisht i shërbejnë komunitetit. Përmes kësaj nisme ata po mësojnë të kujdesen për tokën dhe prodhimet e saj, ndërsa frutat që po mblidhen do të shkojnë në Kuzhinën Popullore, për t’u shndërruar në lëngje të freskëta dhe të shëndetshme për fëmijët tanë”, ka thënë Kryetari Rahimaj.
Sipas Kryetarit Rahimaj kjo nismë dëshmon se hapësirat komunale mund të shfrytëzohen për të krijuar vlerë për komunitetin, duke i shndërruar ato në mundësi për edukim, prodhim dhe mirëqenie.
Përmes përfshirjes së nxënësve në aktivitete të tilla synohet që te ta të kultivohen edhe më shumë vlerat e punës, përgjegjësisë dhe kujdesit ndaj mjedisit dhe hapësirave të përbashkëta. /2LONLINE/
