Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Uran Ismaili, tha sot se vizitat mjekësore në shtëpi po kontribuojnë gradualisht në ndërtimin e besimit në mes të institucioneve shëndetësore dhe familjeve.
“Nga informatat që kam marrë në vazhdimësi rreth këtij programi, mund t’ju them se në përgjithësi është shënuar një nivel i lartë i kënaqshmërisë me shërbimin e vizitave në shtëpi në mesin e familjeve që kanë përfituar nga ky shërbim. Ky është një tregues i rëndësishëm i cilësisë së ofrimit të shërbimit”, tha ai.
Ministri Ismaili deklaroi kështu në takimin e fund-vitit për vizitat mjekësore në shtëpi për kujdesin për nëna dhe fëmijë, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë me përkrahje të Zyrës së UNICEF-it me fondet e Qeverisë së Luksemburgut.
Qëllimi i takimit është për të prezantuar të arriturat gjatë vitit 2017, sfidat, mësimet e nxjerra dhe përvojat e profesionistëve gjatë zbatimit të vizitave shtëpiake.
Ministri Ismaili tha se ndryshimi pozitiv që po arrihet përmes vizitave në shtëpi po ndikon sidomos në përmirësimin e praktikave të ushqyerjes me qumësht të gjirit, parandalimin dhe trajtimin e depresionit pas lindjes si dhe familjet e vizituara janë të bindura për rëndësinë e vaksinimit…
Duke ofruar mbështetje për Programin, Ministri Ismaili tha se vizitat në shtëpi gjatë vitit 2017 janë zgjeruar në nëntë komuna, nga shtatë në vitin 2016 dhe ky zgjerim do të vazhdojë në tërë Kosovën.
“Gjatë këtij viti janë realizuar 11154 vizita në shtëpi, për të përmirësuar shëndetin e nënës dhe mirëqenien e fëmijëve të vegjël, duke përfshirë grupet më të cenueshme. Ndërsa në vitin 2018 pritet që numri i këtyre shërbimeve të zgjerohet dhe të shkojë në mbi 15 mijë vizita në shtëpi”.
Duke vlerësuar se përkundër progresit të konsiderueshëm, nuk mund të thuhet se gjendja shëndetësore e fëmijëve është në nivelin e kënaqshëm krahasuar me vendet evropiane, Ministri Ismaili , tha se në kuadër të përpjekjeve për adresim të pabarazive të shënuara, MSh, e përkrahur nga Zyra e UNICEF-it në Kosovë, do të vazhdojë përkushtimin ndaj programit të vizitave në shtëpi për nëna dhe fëmijë deri ne tre vjet, bazuar në qasjen e integruar të përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies të fëmijëve, si plotësim i praktikave të përmirësuar me bazë në qendrat e mjekësisë familjare, si dhe krijim të kapaciteteve për mirëmbajtjen e programit.
Në emër të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, mbështetje për programin e vizitave mjekësore në shtëpi ka shprehur dr. Agron Gashi.
Ai tha se të dhënat shkencore dhe përvojat e ndryshme dëshmojnë se qasja ndaj kujdesit primar shëndetësor është mënyra më efikase, më ë mirë dhe më kost-efektive për të organizuar një sistem të mirë shëndetësor dhe për të mundësuar kujdes të vazhduar gjithëpërfshirës. “Duke përkrahur praktikat si të ushqyerit me qumësht të gjirit, vaksinim me kohë dhe të plotë, ne kontribuojmë që fëmija të rritet dhe të zhvillohet më mirë në arritjen e potencialit të plotë të fëmijës…”, tha Gashi, duke shtuar se përmes vizitave në shtëpi, MSh dhe UNICEF-i janë duke kontribuar për këto qëllime, në bashkëpunim edhe me sektorët e tjerë si sektorin e arsimit dhe të mbrojtjes sociale.