Vitia shënoi 9 Majin – Ditën e Evropës
/2L ONLINE/ – Në prag të 9 Majit – Ditës së Evropës, Zyra Komunale për Integrime Evropian (ZKIE), ka organizuar një aktivitet për nder të shënimit të kësaj dite. Me këtë rast kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti i shoqëruar nga zyrtarë të Zyrës për Integrime Evropiane, Njësisë Komunale për Drejtat e Njeriut dhe shoqërisë civile kanë vizituar nxënësit me nevoja të veçanta në shkollën fillore e mesme e ulët “Bafti Haxhiu” në Viti.
Me këtë rast kryetari Haliti u njoh për së afërmi me kushtet ku këta nxënës e vijojnë mësimin.
“Është obligim i yni që sot në prag të Ditës së Evropës të jemi pranë këtyre nxënësve. Dëshiroj të përgëzoj mësimdhënësit për punën e tyre që janë duke e bërë me këta nxënës. Edhe pse kushtet në këtë klasë janë të mira, ne si qeveri komunale do të punojmë që të përmirësojmë edhe më shumë kushtet me qëllim që të lehtësohet mësimdhënia dhe mësimnxënia por edhe kujdesi ndaj tyre”, u shpreh kryetari Haliti.
Ndërkaq, Përparim Sadiku, nga ZKIE-ja, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është shënimi i kësaj dite dhe realizimi i obligimeve që dalin nga dokumentet dhe kriteret e Bashkimit Evropian.
“Përkujdesja ndaj nxënësve, posaçërisht të nxënësve me aftësi të veçanta është një nga obligimet institucionale, që dalin nga kriteret e BE-së”, theksoi Sadiku.
Për ndryshe sipas përfaqësuesve të kësaj shkolle klasa e bashkangjitur me nxënës me nevoja të veçanta funksionon që nga viti 2003 në këtë shkollë, ndërsa për momentin numëron mbi 11 nxënës, të cilët e kanë të siguruar edhe transportin./2L ONLINE/
