/2L ONLINE/ – Me rastin e shenjtërimit të Nënës Terezë, Komuna e Vitisë, respektivisht Drejtoria për Kulturë, Rini e Sport, organizon një varg aktivitetesh kulturore e sportive. Me këtë rast, për koordinim të këtyre aktiviteteve që mbahen në kuadër të kësaj ngjarje të madhe për kombin shqiptar, kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti ka zhvilluar një takim me udhëheqësit e kishave katolike në komunën e Vitisë, famullitarin e kishës katolike në Binçë Don Aleksandër Kola, Dom Marjani nga shenjtorja e Letnicës dhe Don Albert Jakaj nga famullia e Stubllës.
Në këtë takim, u diskutua agjenda e paraparë e ngjarjeve që do të zhvillohen në datat 3 e 4 shtator, si dhe aktivitetet përmbyllëse më 24 shtator dhe 24 tetor. Ngjarja e parë që do të zhvillohet të shtunën me 3 shtator është “Marshi i Paqes’ që do të mbahet nga çiklistët duke përshkuar rrugën Letnicë-Viti.
Kjo do të filloj nga ora 10;00 ku çiklistët do të nisen nga Letnica, që simbolizon edhe rrugëtimin nga shenjtorja e Letnicës ku u nis Nëna Terezë drejt misionit të paqes nëpër botë. Ndërkohë që të dielën më 4 shtator në sallën e kinemasë në Viti, do të bëhet transmetimi i drejtpërdrejtë i ceremonisë nga Vatikani i shenjtërimit të Nënës Terezë, për të vazhduar pasdite me shfaqjen e një filmi dokumentar kushtuar Gonxhe Bojaxhiut –Nëna Terezë. /2L ONLINE/