(2LONLINE) – Shkrirja e borës dhe shiu që po bie në vazhdimësi, ka ndikuar në shkaktimin e vërshimeve në disa pjesë të komunës së Vitisë e sidomos sipërfaqeve bujqësore të fshatrave Skifteraj, Budrik dhe një pjesë e fshatrave Remnik e Radivojc.
Megjithatë, gjendja vazhdon të mbahet nën kontroll pohojnë zyrtarët komunal të Vitisë të cilët gjatë gjithë kohës po qëndrojnë në terren. Problem kryesor po paraqet rrjedha e ujit nga shtrati i Lumit Morava duke përfshirë sipërfaqe të tëra bujqësore.
Nexhmedin Jakupi drejtor I Shërbimeve publike në Viti njoftoi se gjatë ditës së djeshme janë ndërmarrë aksione në hapjen e kanaleve dhe prrockave në Viti, Binqë, Kabash dhe nëpër disa lokalitete të tjera. “Gjendja në qytetin e Vitisë është e mirë edhe pse në disa pjesë të qytetit ka depërtuar uji. Zonat më të prekura janë Skifteraj e Budrika ku janë vërshuar sipërfaqe me të mbjella bujqësore”, tha Jakupi.
Ai ka njoftuar se një ekip i kësaj drejtorie sot është duke punuar me ekskavator në hapjen e prrockës në fshatin Remnik , ndërsa dje kanë punuar në Binqë, kabash dhe në disa pjesë të Vitisë.
Ndërsa drejtori I Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Veton Ademi, theksoi se gjendja është e rëndë në pjesën e këtyre fshatrave që janë vërshuar.
“Nga ajo që vërejtëm nga inspektimi I gjendjes në terren, konsideroj se dëmi të kultura e patates mund të jetë I madh, ndërsa nuk besohet që do të shkaktoj dëme të mbjellurave me grurë. Vërshimet në këtë pjesë janë evidente për vite të tëra, ndërsa me realizimin e projektit të komasacionit ku Ministria e Bujqësisë e ka përfshirë Vitinë në planin dinamik të komasacionit , besojmë se do të evitohet ky problem me hapjen e kanaleve të cilat po shkaktojnë problem të vazhdueshme”, tha Ademi.
Ai po ashtu bëri të ditur se të martën do të formohet një komision I cili me njëherë do të dalë në terren për evidentimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet e fundit. Situata është alarmante edhe më tej pasi që vazhdon të rritet sasia e ujit që del nga shtrati I lumit Morava, si edhe prrockave Gerqarica e Letnica. /2lonline/