DYLON

Vitia: Masat e reja hyjnë në fuqi me 4 maj

Vitia: Masat e reja hyjnë në fuqi me 4 maj
Avatar photo Redaksia

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, ka mbajtur sot një konferencë për medie rreth masave të reja për menaxhimin e situatës të përballjes me koronavirusin.

“Para 15 dite prezantuam masat  të cilat erdhën si rezultat i rritjes së numrit të infektimeve. Masat ishin më të rënda sepse gjendja ishte më e rënduar, por falë bashkëpunimit tuaj kemi bërë të mundur që mesataren e infektimeve ditore ta sjellim nga 27% sa e kishim para disa javëve në 3%. Për herë të parë për tri ditë radhazi numri i të shëruarve tejkalon numrin e të infektuarve. Ky është një progres i rëndësishëm dhe si rezultat sot jemi në gjendje që të lehtësojmë pak masat”, ka thënë Vitia.

Sipas tij me masat e reja po synohet të çlirojnë ekonominë duke synuar edhe mbrojtjen e shëndetit edhe të ekonomisë. Por sikur çdo masë që kemi marrë deri më tash, edhe suksesi i masave të reja varët vetëm nga bashkëpunimi i qytetarëve.

EkoHigjiena

Hapjen e ekonomisë dhe heqjen e kufizimeve ta bëjmë në faza.

Faza e parë fillon me 4 maj dhe planifikohet të vazhdojë deri më 18 maj. Gjatë kësaj periudhe:
· Zgjerohet orari i lirisë së lëvizjes nga 1.5 në 3 orë në dy orare, paradite dhe pasdite.
· Hapen këto pjesë të ekonomisë; ndërtimtaria dhe patundshmëria; tregtia e automjeteve (pjesërisht); tregtia me pakicë (pjesërisht); riparimi i artikujve personal dhe i orendive; zyrat e konsulencës (me lista të stafit esencial).
· Orari dhe lista e veprimtarive të lejuara do të publikohen menjëherë pas konferencës.

Faza e dytë planifikohet të filloj me 18 maj dhe vazhdon deri më 01 qershor planifikohet të lirohen masat por varësisht nga vlerësimi i situatës epidemiologjike.

Por, keni parasysh që kalimi nga faza e parë në të dytën dhe kthimi potencial nga faza e dytë në të parën varet nga të gjithë ne. Nëse nuk kemi rritje të rasteve dhe respektojmë me përpikëri udhëzimet e institucioneve shëndetësore dhe qeveritare atëherë do të ecim përpara, por nëse relaksohemi dhe infektimet fillojnë me shpejtësi, atëherë do të kthehemi prapa.

Masat e reja do të jenë në përputhje me normalitetin e ri.

Ndërsa, Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari tha se sektorëve të ekonomisë do të hapet gradualisht.

Ajo tha se është duke u punuar në hartimin e pakos së dytë fiskale pas pandemisë së COVID-19, që do të jetë edhe më efikase.

“Synimi është që ta hapim ekonominë gradualisht, për shkak se jemi të vetëdijshëm se kemi humbje të mëdha ekonomike, duke filluar nga likuiditeti dhe humbja e kontratave të punëtorëve. Jam e vetëdijshme që shumë punëtorë kanë humbur vendet e punës në sektorin e gastronomisë, ndërtimtarisë, atë të tregtisë me pakicë që janë mbyllur. Tani jemi duke punuar edhe për pakon e dytë e fiskale. Jam shumë pozitive që për shumë humbje që kemi, kemi edhe shumë shpresë. Falënderojmë bizneset që kanë respektuar masat”, tha Hajdari.

Berat Rukiqi, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se gjatë këtyre ditëve është punuar me MEPTINIS dhe MSH që të gjenden zgjidhje të cilat do të lehtësonin veprimtarinë e bizneseve të cilat janë goditur nga pandemia Covid-19, duke ruatur në të njëjtën kohë kujdesin për shëndetin e qytetarëve të vendit.

Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së tha se edhe pse do të ketë disa lehtësime që në fazën e parë të planit, vlen të theksohet se shumica e masave do të mbeten në fuqi, të paktën deri më 18 maj.

“Të dashur qytetarë, ju lutem shumë për durimin, mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj të vazhdueshëm në respektimin e këtyre masave, duke përfshirë:
– Ndalimi i vizitave familjare dhe takimeve shoqërore
– Ndalimi i grumbullimit të dy apo më shumë personave
– Ndalimi i shfrytëzimit të automjeteve përveç me leje të veçantë apo në raste emergjente shëndetësore
– Ndalimi i pjesëmarrjes në dasma, ahengje, ceremoni mortore, përveç familjarëve të ngushtë.
– Mbajtja e distancës prej dy metrash nga persona të tjerë
“Sidomos pas fillimit të lehtësimit gradual të masave, na duhet bashkëpunimi jo vetëm i shumicës së qytetarëve por të gjithëve bashkë. Kjo është e nevojshme për të siguruar se epidemia të mos shpërthehet sërish”, tha ai.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.