Vitia, komuna e pafat: Qasja në autostradë që ende s’u bë!

Vitia, komuna e pafat: Qasja në autostradë që ende s’u bë!

Qeveritë po vijnë e po shkojnë, por qasja e komunës së Vitisë, në autostradën Prishtinë-Shkup s’po bëhet realitet.

Shkruan: Irfan Maliqi

Kjo çështje, ka mbetur nga viti në vit, peng i qeverive që ikin e vijnë e që synojnë vetëm të përfitojnë popullaritet me deklarata optimiste, por që asnjëra nuk merr hapa konkret drejt jetësimit të lidhjes së kësaj komune me autostradën në fshatin Gërlicë të Ferizajt, aty ku kalon traseja e rrugës që lidh Kosovën me Shkupin e kësisoj Vitinë me kryeqytetet.

Atëherë kur duket se lidhja është afruar, sa i përket procedurave, vendi përballet me mosmarrëveshje politike e me qeveri që mandatin kurrë se çon deri në fund siç duhet. Por, ndonëse qeveritë ikin e vijnë ajo që mbetet janë kërkesat e qytetarëve karshi shtetit sikur që është lidhja e kësaj komune me autostradën e cila po vonohet pa fajin e qytetarëve.

Me qeverinë Kurti, që u pa se është më afër realizimit të kësaj qasje për shkak se qeveritë e mëhershme kishin marrë hapa lidhur me këtë, ndodhi e papritura. Diçka që kyçjen do ta vononte tutje duke kaluar nëpër procedura të reja të qeverisë Kurti, që u thirr aq shumë në ndryshim. Qeveria e këtij të fundit, në fillim të këtij viti kur mori mandatin, kishe anuluar vendimin e qeverisë Haradinaj për dy kyçje të reja në autostradën “Arbën Xhaferi” e që njëra ishte paraparë për Vitinë.

Ky vendim nxiti pakënaqësi tek vitiasit e reagime të shumta edhe të opozitës e shoqërisë civile lokale, por që pushteti u arsyetua se po mbron paranë publike nga keqpërdorimet e mundshme. Bazuar në vendimin e qeverisë Haradinaj, konsorciumi Bechtel Enka, që ndërtoi autostradën po kërkonte rreth 50 milionë euro për punimet shtesë çka qeveria e re nuk do ta lejonte një investim me këtë kosto.

Ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, thoshte se qasja e Vitisë në autostradë garantohet me vendimin e Qeverisë Mustafa por se ajo nuk do të bëhet me kosto aq të lartë si pjesë e një tenderi prej 50 milionë që e kanë anuluar por do të bëhet me një kosto më të ulët.

Kabineti qeveritar i Kurtit para dy muajve, kishte votuar për shfuqizimin e vendimit të vitit të kaluar nga qeveria Haradinaj për një kontratë me vlerë 49.6 milionë euro me Bechtel & Enka. Ministri i Infrastrukturës, kishte propozuar shkarkimin e këtij vendimi me qëllim që të shpëtojnë 49 milionë euro për mos vazhdimin e kontratës me konzorciumin Bechtel & Enka për ndërtimin e autostradës Arbër Xhaferri.

Ndryshimet që po pretendonin udhëheqësit, po privonin vitiasit tek një e drejtë e tyre për lidhjen që e kërkojnë qe gati pesë vjet. E Albin Kurti, tani kryeministër në detyrë, ditë më parë gjatë një vizite në Viti për gjendjen me koronavirus, u pyet edhe për kyçje të këtij qyteti në autostradë, ku tha se kjo është një punë që do të bëhet por me një kosto më të ulët.

“Ne do të merremi edhe me qasjen e Komunës së Vitisë në autostradë. E kemi marrë një vendim pasi ishte qasje shumë e shtrenjtë dhe e jashtëligjshme. Kyçja në autostradë do të bëhet me një kosto më të ulët”, kishte thënë Kurti para mediave.

Mbetet për tu parë, nëse Kurti apo qeveria e re që po synohet të formohet pa të, do të jetë më konstruktive e më të shpejtë në ecurinë e procedurave rreth kyçjes. Por, si duket situata me pandeminë zor se do ta lejojë shtetin në fillimin e projekteve të reja infrastrukturore e duket se vitiasit do të presin edhe për një kohë, kur qasja në autostradë të bëhet realitet.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE