(2L ONLINE) – Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Drejtorëve është diskutuar rreth Planit të Veprimit Komunal për PVNMSA-në 2014 ( Plani i Veprimit-Negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit), plan ky i nxjerrë nga dokumenti bazik i PVNMSA-së dhe i përshtatur nga Zyra Komunale për Integrime Evropiane për drejtoritë komunale dhe zyrat e kryetarit të Komunës së Vitisë.
Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti falënderoj përgjegjësin për Integrime Evropiane Përparim Sadikun dhe në veçanti Flamur Zeqirin këshilltar-ekspert në kuadër të projektit për aftësimin e kuadrove (CDF), që operon si bashkëprojekt në mes të UNDP-së dhe KFOS-it për mbështetjen në ngritjen e kapaciteteve të administratës publike dhe hartimin e këtij plani, duke e cilësuar si shumë të nevojshëm në përmbushjen e detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit.
“Ky plan është dritare që na informon lidhur me punën dhe aktivitetet tona në instancat e ndryshme lidhur me obligimet që na dalin nga ligjet e Republikës së Kosovës dhe nga Plani i Veprimit Komunal PVNMSA 2014”, theksoi Kryetari Haliti.
Ndërkaq përgjegjësi i Zyrës Komunale për Integrime Evropiane, Përparim Sadiku tha se kjo zyre është e obliguar të monitoroj përfomancën e organeve komunale dhe të raportoj çdo tre muaj në qendër ( MAPL), duke i bërë matjet e nevojshme mbi zhvillimin e punëve në harmoni me dokumentet që dalin nga BE-ja dhe nga niveli qendror.
Flamur Zeqiri , këshilltar nga CDF (UNDP-KFOS), duke folur rreth përmbajtjes së këtij dokumenti tha se këtu përfshihen të gjitha drejtoritë komunale, zyrat e kryetarit si dhe organet e Kuvendit.
“ Me këtë dokument ju do të merrni përgjegjësi të cilat janë me interes të përgjithshëm, ku do të përfshihen drejtoritë komunale , zyrat e kryetarit si dhe organet e Kuvendit, ku parashihen kriteret kryesore politike si mbrojtja e të drejtave dhe lirive të minoriteteve, kriteret ekonomike (ambient I favorëshëm për biznes), standartet evropiane me rëndësi si prokurimi publik, punësimi, çështjet sociale, shëndetësia, bujqësia, mjedisi etj. Këto përgjithësi do të jenë në aspektin e procesit të integrimit evropian “, tha Zeqiri.
Ndërkaq pas prezantimit të këtij plani drejtorët e drejtorive si dhe zyrat e kryetarit diskutuan rreth përmbajtjes së këtij plani dhe murrën zotimin për përmbushjen e këtij dokumenti strategjik./2L ONLINE/