(2L ONLINE) – Komuna e Vitisë në mbështetje të projektit DEMOS ka filluar sot me hartimin e planit të mobilitetit në fushën e Komunikacionit. Përmes këtij plani parashihet të zgjidhen disa probleme kyçe në trafik si eliminimi i bllokimeve të trafikut, rritjen e sigurisë në rrugët urbane dhe fshatrave, uljen e ndotjes së ambientit , zvogëlimin e kohës së udhëtimit etj.
Gjatë këtij takimi u bënë të ditur edhe emrat e anëtarëve të grupit punës të cilët do të hartojnë këtë plan.
Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu duke e mirëpritur themelimin e këtij grupi punës dhe vet planit tha se një plan i tillë i mobilitetit ti ka munguar kësaj komune duke potencuar se në hartimin e këtij plani janë të angazhuar pikërisht personat e duhur.
“Më të vërtetë Komunës së Vitisë i ka munguar një plan i tillë dhe fatmirësisht në grupin punues për hartimin e saj janë të inkoperuar personat e duhur. Me këtë plan do të zgjidhen një varg të problemeve në trafik dhe si i tillë ky plan është i një rëndësie të veçantë për Komunën tonë” tha zv.Kryetari Aliu.
Ai mandej falënderoj projektin DEMOS që ka shprehur gatishmërinë që ta mbështes Komunën e Vitisë në këtë drejtim.
Ndërkaq Nexhmedin Jakupi, Drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike dhe Emergjencë duke folur për hartimin e këtij plani ka përmendur edhe objektivat kryesore me të cilat do të zgjidhën disa nga problemet në trafik si eliminimi i bllokimeve të trafikut, rritjen e sigurisë në rrugët urbane dhe fshatrave, uljen e ndotjes së ambientit , zvogëlimin e kohës së udhëtimit etj.
Ndërkaq Ermira Salihu nga Projekti DEMOS tha se kërkesa për hartimin e këtij plani dhe mbështetje ka ardhur nga vet komuna megjithatë ajo tha se në hartimin e saj përveç anëtarëve të grupit punues do të jenë të angazhuar edhe konsulent.
“Projektet e mobilitetit në fushën e komunikacionit janë të rralla në Kosovë, Komuna e Vitisë ka kërkuar mbështetje në këtë drejtim dhe jam në njohuri se me këtë plan synohet që të krijohet një lëvizje e lirë dhe e sigurt për pjesëmarrësit në trafik” u shpreh Salihu.
Ajo mandej tha se gjatë hartimit të këtij plani nevojitën edhe marrja e mendimeve nga qytetarëve dhe grupeve të interesit përmes diskutimeve publike.
Ndërkaq për rëndësinë që ka hartimi i planeve të tilla ka folur Mevlan Bixhaku, ekspert në fushën e Komunikacionit, konsulent nga projekti DEMOS.
Përndryshe gjatë këtij takimi u theksua se në Kosovë ka shumë pak raste të hartimit të planeve të mobilitetit në fushën e Komunikacionit dhe se më këtë do synohet që të zgjidhen disa probleme në trafik.
Grupi punues i cili është themeluar për hartimin e këtij plani do të përbëhet nga Zyrtarë Komunal, Përfaqësues të Policisë, Shoqërisë Civile, Autoshkollave, Autotaxive etj. /2L ONLINE/