DYLON

Vitia dhe Zhitia identifikojnë projektet për investime kapitale

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Me qëllim që qytetarët e Komunës së Vitisë të jenë pjesë aktive në hartimin e buxhetit komunal për vitin në vijim dje janë zhvilluar dy diskutime publike njëra me banorët e qytetit ndërsa tjetra me banorët e fshatit Zhiti.

Në këto diskutime publike para qytetarëve kanë prezantuar zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu si dhe Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim, Ibrahim Rama. Pas pjesës së prezantimit të buxhetit komunal për vitet në vijim është hapur edhe diskutimi me banorët në fjalë të cilët kanë paraqitur kërkesat, nevojat e lokaliteteve nga vijinë për investime kapitale.

EkoHigjiena

Ndonëse me ligjet në fuqi komunat e Kosovës janë të obliguar të mbajnë së paku tri diskutime publike rreth hartimit të buxhetit komunal. Qeveria Komunale e Vitisë gjatë këtij viti ka paraparë të mbaj 20 diskutime të tilla, 16 me banorë të lokaliteteve të ndryshme dhe 4 me kategoritë e ndryshme të shoqërisë si personat me aftësi të kufizuara, bizneset, gratë dhe komunitetin jo shumicë.

Në kuadër të këtyre diskutimeve dje u mbajtën diskutimet publike me banorët e qytetit të Vitisë dhe të fshatit Zhiti të cilët përpos që u njohën me buxhetin komunal për vitin në vijim paraqitën edhe kërkesat dhe nevojat e lokalitetit për investime kapitale.

Zv. Kryetari i Komunës së Vitisë, Hasan Aliu tha se qeveria komunale e Vitisë është e interesuar që buxhetin të cilën e kanë të hartojmë bashkërisht me qytetarët e saj dhe se për këtë po punojnë me orar të zgjatur duke zhvilluar diskutime publike me banorët e kësaj komune.

“Unë personalisht që disa ditë kam filluar punën prej orës 8:00h e deri në orët e vona të mbrëmjes dhe këtë po e bëjmë sepse jemi të vedijëshëm që buxhetin të cilën e kemi për vitet në vijim të hartojmë bashkërisht me ju qytetarë të të komunës sonë sepse dëshirojmë të dimë nevojat e juaj për investime kapitale por njëkohësisht dëshirojmë të tregojmë edhe për mundësitë buxhetore të cilat i kemi” u shpreh zv. Kryetari Aliu.

Ndërkaq Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim paraqiti anën profesionale të buxhetit komunal për vitin në vijim, ndarjen e saj në kategoritë e ndryshme por edhe mjetet për investime kapitale duke potencuar se pas këtyre diskutimeve publike ku do të merren kërkesat dhe nevojat e qytetarëve do të hartohet nga Institucionet Komunale të Vitisë, lista për investime kapitale e cila më pas do të procedohet në Komitetin për Politikë dhe Financa si dhe në Kuvendin Komunal për të vazhduar deri në Institucionet qendrore ku do të hynë edhe në ligjin e buxhetit.

Drejtori Rama ju bërë thirrje qytetarëve që të kryejnë obligimet e tatimit në pronë sepse këto të hyra janë të rëndësishme që komuna të jetë sovrane dhe theksoi se mjetet e grumbulluara do të kthehen qytetarëve përmes investimeve. Ai po ashtu vuri re se vetëm 9,9% e buxhetit komunal përbëhet nga të hyrat vetanake duke potencuar se pjesa tjetër vjen nga niveli qendror.

Gjatë diskutimit publik në qytetin e Vitisë, banorët patën kërkesat e ndryshme ndër to ishin asfaltimi i rrugëve të disa lagjeve të reja dhe rregullimin e ndriçimit publik, kyçjen e tyre në kanalizim, përforcimin e kapaciteteve të ujësjellësit, fasadimin e objekteve kolektive etj.

Ndërkaq banorët e fshatit Zhiti kërkuan që të investohet më shumë në renovimin e shkollës dhe të oborrit të saj si në rrethojë ashtu edhe në fushën sportive, sigurimin e ujit të pijes, kyçjen në kanalizim të lagjeve të reja por që edhe rruga e re e cila është në ndërtim e sipër të pajiset me trotuare./2L ONLINE/