Viti i mbrapshtë!
Shkruan: Nijazi Idrizi
/2L ONLINE/ – Albert Einstein i nxitur nga dështimet e përsëritura të vendimmarrësve, në një rast pati thënë: “Është çmenduri të mendosh dhe të sillesh gjithmonë në të njëjtën mënyrë, duke shpresuar se do të kesh rezultate të ndryshme”.
Kjo e vërtet, për shumicën e shteteve është relative, por për ne në Kosovë është një e vërtetë e padiskutueshme.
Vendimmarrësit e Qeverisë së Kosovës po e mbyllin edhe këtë vit, me pak suksese të pritura dhe me shumë dështime të papritura.
Kanë dështuar rënd Kryeministri Isa Mustafa dhe vartësi i tij Hashim Thaçi, sepse:
Për motive të panjohura e kanë negociuar (dhe i pari e ka firmosur) marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave serbe, duke e shkelur Kushtetutën e cila pritet që t’ia haj kokën, siç iu pati hëngër dy presidentëve të Kosovës, Fatmirë Sejdiut dhe Bexhet Pacollit;
Ka(në) firmosur (i dyti) Marrëveshjen me të cilën Malit të Zi ia kanë dhënë (kësaj radhe bakshish) një pjesë të tokës së Kosovës (për të dytën herë, pas Kongresit të Berlinit 1878);
Kanë themeluar Gjykatën Speciale, për shkak se nuk kanë guxuar t’i gjykojnë krimet e dyshuara të luftës në gjykatat tona;
Kanë dështuar në liberalizimin e vizave, duke i lënë të mbyllur në geto qytetarët e vet;
Kanë dështuar në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, duke i irrituar për të votuar kundër edhe disa shtete mike;
Kanë dështuar në themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës;
Kanë dështuar në lobimin për njohje të reja, të cilat nuk kanë ardhur;
Kanë dështuar për aplikim në ITU për kodin e telefonisë 383;
Kanë dështuar në propozimet për zgjedhjen e anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, si institucionin më të besueshëm të shtetit, për shkak të propozimeve joprofesionale dhe politike;
Kanë dështuar në emërimin e ambasadorëve;
Kanë dështuar në emërimin e Auditorit të Përgjithshëm, për motive krimi;
Kanë dështuar në zbatimin e rekomandimeve nga BE dhe SHBA për emërimin dhe zgjedhjen e Bordeve të ndërmarrjeve publike me njerëz jopartiakë;
Kanë dështuar në konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme;
Kanë detyruar qytetarët e vet që ta braktisin Atdheun e tyre, për shkak të humbjes së shpresës, për jetë më të mirë;
Dështimin e tyre e kanë ndjekur edhe vartësit e tyre!
Ka dështuar Ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi: me Pallatin e Drejtësisë; me prokurorë dhe gjykatës të korruptuar me akuza publike; me të burgosurit e lirë; me arratisjen e Sami Lushtakut; me droga nëpër burgje; me të burgosur me tretman të veçantë;
Ka dështuar Ministri i MASHT, Arsim Bajrami: me skandalet që quan në burg Akredituesit e Universiteteve Private; me politizimin e universiteteve publike, me bordet skandaloze të universiteteve, me rektorë e mësimdhënës partiak; me Universitete me planprograme të pabazuara në nevojat e tregut të punës; me falsifikim të diplomave në universitete publike; me gradim të profesorëve me punime shkencore plagjiat dhe me publikimet e tyre në gazeta joshkencore; me regjistrimet e studentëve pa kritereve arsimore; me dështimet në njohjen ndërkombëtare të diplomave;
Ka dështuar Ministri i MSH, Imet Rrahmani: në hartimin e politikave për Institucionet shëndetësore publike dhe privatë; në mos implementimin e ligjit për sigurimet shëndetësore; në menaxhimin e furnizimit me barëra në të gjitha institucionet e kujdesit publik shëndetësorë; në funksionalizimin e të gjitha reparteve të spitaleve;
Ka dështuar Ministri i MPMS, Arban Abrashi: në themelimin e Agjencisë së punësimit; në evidentimin e punëkërkuesve dhe punësimin e tyre; në dhënien e librezave të punës për punëkërkuesit profesional dhe lehtësimi i dhënies së librezave të punës për punëkërkueset prostitute; në monitorimin e skemave sociale, për të cilat vet ka deklaruar se ato po shfrytëzohen në kundërshtim me ligjin; me manipulimin me pensionistët e të gjitha skemave; në implementimin e marrëveshjeve ndërkombëtare për sigurimet pensionale, (për të cilat dështime që ia kujtoi opozita, ai atë e barazoi me ISIS);
Ka dështuar Ministri i MZHE, Blerand Stavileci: në hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik të Kosovës; në themelimin e Fondit për Zhvillim; në privatizimin e PTK-së, i cili po rrezikon humbjen e milionave për shkak të dështimit; në privatizimin e Brezovicës nga disa sekserë; në ndërtimin e termocentralit Kosova e Re; në monitorimin e ndërmarrjeve publike të cilat po e gllabërojnë pasurinë e vet dhe taksat e qytetarëve; në planifikimin e familjeve shqiptare me koncept serb;
Ka dështuar Ministrja e MTI, Hykmete Bajrami: në krijimin e ambientit të përshtatshëm për të bërë biznes dhe thithjen e investimeve të huaja; në kontrollimin e cilësisë së ushqimit (krunde për popullin); në kontrollin e cilësisë së derivateve të naftës (kancerogjene); në zhvillimin e industrisë; në mbrojtjen e prodhimeve vendore;
Ka dështuar Ministri i MF, Avdulla Hoti: në politikat fiskale; në kontrollimin e doganave; në ndërprerjen e informalitetit në ekonomi; në rimburësimin e TVSH; në vënien nën kontroll të disa kompanive oligopol; në kontrollin e inspektorëve të korruptuar;
Ka dështuar Ministri i MBPZHR, Memli Krasniqi: në mbrojtjen e tokës bujqësore; në dhënien e granteve dhe subvencioneve për fermerët dhe përpunuesit e ushqimit, duke i favorizuar “fermerët” e klientelës politike; me diferencimin e disa regjioneve në kurriz të të cilave i ka favorizuar disa regjione tjera; në menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve;
Ka dështuar Ministri i MPB, Skender Hyseni: në luftimin e terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit; në kontrollin e një pjese të territorit të Kosovës; në ofrimin e sigurisë për qytetarët edhe në komunikacion; në zbatimin e vendimeve të gjykatave; në përdorimin e policisë për qëllime politike, (duke arrestuar deputet pa fletarrest dhe bastisur seli të Partisë Politike); në sigurimin e Kuvendit të Kosovë nga bombat me gaz lotsjellës;
Ka dështuar Ministri i MAP, Mahir Yagcilar: në reformën e administratës publike; në zbatimin e kritereve për ndërtimin e objekteve publike; në menaxhimin e objekteve publike.
Ndërsa si suksese të kësaj Qeverie, që janë evidentuar nga qytetarët, mund të numërohen: nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit; anëtarësimi i disa sporteve kosovare në organizatat ndërkombëtare; fillimi i zbatimit të ligjit për veteranët në gjendje të mjerueshme dhe disa suksese të tjera të cilat janë me pak rëndësi dhe nuk mbahen mend. Këtu nuk mund të numërohen as projektet rutinore as projektet që janë zbatuar për përfitime materiale të grupeve kriminale.
Këto fakte të renditura janë dëshmi se ka ardhur koha që njerëzit e këtij vendi ta marrin parasysh thënien e gjeniut të njerëzimit Albert Einstein dhe ta ndërpresin dështimin, duke menduar ndryshe, për të arritur rezultate të ndryshme, më të mira për veten dhe Atdheun tonë.
Uroj që viti tjetër të jetë vit i mbarë!
