/2L ONLINE/ – Ka vite kur violinisti Ermir Abeshi, erdhi në Prishtinë dhe ngriti në këmbë publikun duke lënë jehonë të madhe në skenën tonë. Këtë vit, ai rikthehet në ReMusica në bashkëpunim me pianisten Merita Rexha Tërshana duke hapë kështu Edicionin e 15 të ReMusica-s me sonatën e Beethovenit dhe Cesar Franck.
Abeshi është finalist i Konkursit Ndërkombëtar për Violinë “Queen Elisabeth” në Bruksel dhe fitues i Çmimit të Dytë në Konkursin Ndërkombëtar të Violinës “Lipizer”në Gorizia (Itali). Abeshi ka performuar si solist me Orkestrën Kombëtare të Belgjikës, në të prestigjozin Palais des Beaux-Arts në Bruksel drejtuar nga Gilbert Varga, pastaj me Orkestrën Royal de Chambre du Wallonie, me Brussels Philharmonic Orchestra, duke debutuar në sallen prestigjoze të konservatorit të Brukselit, me Tefken Symphony Orchestra të Stambollit dhe Orkestrat Simfonike Rumune të Ploietsi dhe Bacau nën drejtimin e Ovidiu Balan.
I përkushtuar shumë ndaj muzikës së dhomës, ai performon në një sërë formacionesh muzikore nga duo në kuintet. Ka bashkëpunuar me shumë muzikantë, si violinistët hebre Shlomo Mintz dhe Dora Schwarzberg, pianistin gjerman Thomas Hoppe, pianistën shqipëtare Merita Rexha Tërshana dhe pianistët italian Enrico Pace dhe Valentina Messa.
Abeshi është fitues i bursës nga fondacioni CRT dhe Associazione DeSono në Torino, Itali.
Merita Rexha Tërshana është një nga pianistet më aktive dhe të suksesshme në skenën muzikore shqiptare. Ka mbaruar studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe më pas ka ndjekur disa kurse specializimi në Gjermani me pianistë e profesorë të njohur si Paul Badura-Škoda në Schleswig-Holstein Musik Festival, me Till Engel në Folkwang Hochschule Essen, etj.
Është fituese e disa çmimeve në Tiranë, si Interpretuesja më e mirë në Festivalin “Ditët e muzikës së re shqiptare”, dhënë nga një juri e kryesuar nga kompozitori francez George Boeff, është nominuar 6 herë për çmimin e përvitshëm Kult që jepet nga Akademia Kult si Interpretuesja e vitit, dhe e ka fituar këtë çmim në vitin 2010.
Ka luajtur si soliste me orkestrat e rëndësishme shqiptare si orkestra e RTSh, ajo e Teatrit të Operas e Baletit, Filarmonia e Akademisë së Arteve, me dirigjent shqiptar e të huaj. Në repertorin e saj janë koncerti nr.2 i Brahms-it për piano e orkestër, Beethoven koncertet nr.4 dhe nr.5, Chopin, Liszt Totentanz, Mozart, Shostakoviç, etj.
Si soliste dhe në asamble të muzikës së dhomës ka luajtuar jo vetëm në Shqipëri, po dhe në Gjermani, Austri, Danimark, Itali, Zvicër, Greqi, Turqi, Maqedoni, Kosovë. Ka luajtur shumë premiera të veprave të kompozitorëve shqiptarë si dhe ka rregjistruar në 2 cd me vepra shqiptare. Në 2010 ka publikuar një cd me vepra për piano solo të R. Schumann. Ka luajtur integralen e veprave të Iannis Xenakis për piano përpara vetë kompozitorit në vitin 1998 në Festivalin “Vjeshta e Tiranës”.
Është profesoreshë në katedrën e pianos në Universitetin e Arteve Tiranë dhe mban titullin akademik Profesoreshë e Asociuar./2L ONLINE/