DYLON

Violant Sylejmani shpallet sportist i vitit në Gjilan

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Pikërisht në ditën e çlirimit, Komuna e Gjilanit, përkatësisht Njësia për Sport ka ndarë sot mirënjohje për më të dalluarit e vitit 2015/2016 në sektorin e sportit, ngjarje kjo në të cilën ka marrë pjesë kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri me bashkëpunëtorë, “Nderi i Qytetit”, boksieri Erzen Rrustemi, deputetë e asambleistë, sikurse edhe sportdashës të shumtë.

Mirënjohjet e sotme për më të dalluarit e vitit në sport po jepen për herë të parë më 15 qershor dhe kryetari Haziri tha se kalendari i vitit për shpalljen e më të dalluarve duhet të lidhet me Ditën e Çlirimit.

EkoHigjiena

“Sot, festën e qytetit e shënuam edhe shpalljen e më të dalluarve në sport për vitin 2015/2016. Sot ne kemi emra të njohur të sportit në botë, e që janë emblematik të Gjilanit, siç është Xherdan Shaqiri e Erzen Rrustemi. Por, këta dhe të tjerët, nuk kanë mundur të arrijnë suksese po të mos i kishim legjendat gjilanase që dhanë shumë për sport. Pra, gjenerata të tëra kanë punuar dhe janë angazhuar që ne sot t’i korrim sukseset kombëtare e ndërkombëtare. Jam krenar që pothuajse të gjitha kategoritë e sportit në Gjilan po sjellin rezultate të mahnitshme kudo që po marrin pjesë. Gëzuar dita e çlirimit dhe faleminderit për nderin që po ia bëni Gjilanit. Urime sportist”, ka thënë Haziri, në adresimin para qindra sportistëve.

Me vendim të jurisë profesionale, sportiest i vitit është zgjedhur boksieri Violant Sylejmani, i cili fitoi tri medalje të arta, edhe atë në turneun ndërkombëtar në Bosnie Hercegovina, në turneun “Gongu i Artë” në Maqedoni dhe në turneun “Adem Jashari” të mbajtur në Republikën e Kosovës.

Me mirënjohje janë shpërblyer edhe këta sportistë: Ira Salihu (KV “Drita”), Alban Tosumi (KF “Gjilani”), Blerta Shala (KF “Intelektualet”), Bjondina Ramabaja (KH “Drita”), Elhami Shabani (Klubi Karatesë “Drita”), Blinera Jaha (KV “Drita”), Alban Haziri (KH “Zhegra”), e Mirlinda Daku (KB “Drita”).

Klubi më i dalluar është shpallur ai i volejbollit “Drita”, trajneri më i dalluar Lorik Ilazi, derisa Selami Haziri – pedagogu sportiv i vitit.

Ndërkaq, te Shpresat e Sportit për vitin 2015/2016 u nderuan me mirënjohje: Belinë Rashiti (Klubi i Karatesë “As”), Blerand Limoni (Klubi i Karatesë “Dardania”), Erdonis Maliqi (Klubi i Boksit “Drita”), Ardit Mustafa (Shkolla e Fubollit “Shkëndija”) dhe Vesa Ibrahimi (Klubi i Karatesë “Drita”).

Mirënjohje e veçantë i është ndar Avdil Ibishit (Handikos), ndërsa me mirënjohje post mortum janë nderuar, Ramadani Salihu – ish futbollist dhe Servet Shala ish-volejbollist.​ /2L ONLINE/


Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.