Vetëvendosje: “Zajednica” dëmton çdo sektor
Marrëveshja për “Zajednicën” e dezintegron Kosovën në tërësi si shtet dhe në veçanti organizimin sektorial. Sektori i shëndetësisë përmes Marrëveshjes së 25 gushtit ndahet etnikisht, me ç’rast legalizohen strukturat ilegale të Serbisë që kanë vepruar në Kosovë, thonë përfaqësues të Vetëvendosjes.
“Nga 1600 të punësuar në spitalin në veri të Kosovës asnjë nuk është shqiptar. Kjo ndarje etnike po legalizohet përmes kësaj marrëveshjeje. Krijimi dhe legalizimi i spitaleve të tilla etnike është racizëm. Tashmë dihet qartë nga marrëveshja që “Zajednica” do t’i ketë kompetencat e plota në sektorit e shëndetësisë, që do të thotë se Republika e Kosovës nuk do të ketë kontroll as mbi këtë sektor, në këto pjesë të shtetit”, tha nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje Fatmire Kollçaku. Ajo theksoi se Kosova, në vend që t’i japi kompetenca Serbisë që ta zbatojë sistemin shëndetësor të saj në Kosovë, do të duhej të bashkëpunonte me Republikën e Shqipërisë për krijimin e qendrave referente, sidomos kur bëhet fjalë për kardiokirurgji dhe onkologji.
Tutje, nënkryetarja Kollçaku tha se as sot, 16 vite pas çlirimit të vendit, nuk kemi zbatim të ligjit për sigurime shëndetësore zbatimi i të cilit komplikohet edhe më shumë referuar termave të marrëveshjes për “Zajednicën”. “Edhe në momentin kur të nisë zbatimi i këtij ligji, sigurisht se nuk do të mund të zbatohet në 1/3 e territorit të Kosovës, territor ky që do të jetë nën kontrollin e “Zajednicës”, pra jo nën kontrollin e Republikës së Kosovës. Ne si përfaqësues të VETËVENDOSJE!-s jemi shumë të vendosur që ta mbrojmë Republikën e Kosovës duke mos lejuar që në territorin e Kosovës të krijohen spitale etnike. Qeveria me nënshkrimin e marrëveshjeve po do të formalizojë krijimin e spitalit etnik në Mitrovicë”, tha ndër të tjera Kollçaku.
Qeveria Mustafa-Thaçi-Srpska paralelisht me këtë marrëveshje ndërmori dhe një hap tjetër në sektorin e shëndetësisë. Në Kosovë barnat deri në shtatorin e këtij viti nuk kishin TVSH. Me pakon e re fiskale të Qeverisë së Isa Mustafa, të cilën grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje e kundërshtoi në Kuvend dhe votoi kundër, barnave iu vendos TVSH-ja në masën 8%. Kjo e rëndon edhe më tej gjendjen ekonomike edhe ashtu të rënduar të pacientëve në Kosovë. Lidhur me këtë çështje, Besim Muzaqi nga Komiteti për Shëndetësi i Lëvizjes Vetëvendosje tha se Qeveria e Kosovës nuk është fare e interesuar për mirëqenien e qytetarëve. “Barnat nuk mund të konsiderohen mall i çfarëdoshëm. Gjithnjë hartohen politika specifike për to, në mënyrë që t’i mundësohet secilit pacient të ketë qasje në terapi, e drejtë kjo e garantuar me karta ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Qasja në barna nuk është luks”, tha Muzaqi.
Shpenzimet e pacientëve me sëmundje kronike janë rritur dukshëm. Për hipertension, terapia për 1 vit pa TVSH kushtonte rreth 500 euro, kurse tani me TVSH kushton 544 euro, terapia për astma dhe hipertension, nga 803 euro në vit, tani shtrenjtohet në 867 euro. Terapia për diabetikët, nga 983 euro, shtrenjtohet në 1.061 euro. “Për një familje që ka anëtarë me këto sëmundje, Qeveria “u kujdes” që t’ia shtojë shpenzimet për barna me 145 euro, pa llogaritur çfarëdolloj problemi tjetër shëndetësor brenda familjes, por vetëm barnat e të sëmurëve kronikë, pra të përditshmet”, theksoi Besim Muzaqi.
Ai tha se Lëvizja Vetëvendosje është për përjashtimin e barnave nga TVSH-ja në mënyrë urgjente, për deklarimin e çmimeve nga prodhuesi farmaceutik, për zbritjen e çmimeve të barnave në nivel referent me rajonin si dhe për nivelizimin e çmimeve në të gjitha barnatoret e Republikës së Kosovës.
