Gjilan –(2LONLINE) – Drejtues të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, kanë vlerësuar se në Gjilan nuk pati një fillim të mbarë të vitit të ri shkollor dhe për këtë fajësuan qeverisjen aktuale të Gjilanit e cika ka dështuar sikurse edhe n ë çdo fushë tjetër.
Ismajl Kurteshi, kryetar i Vetëvendosjes në Gjilan ka thënë se uron që ky vit të përfundoj shumë më mirë se sa që ka nisur, sepse nuk ishte një fillim i mbarë ndërsa më gjerësisht për dështimet n arsim kanë folur nënkryetar i vetëvendosjes Nevzad Isufi dhe Fehmi Sylejmani.
Isufi ka thënë se kjo qeverisje po vazhdon me praktikat e këqija që në prag të fillimit të vitit shkollor dhe pas fillimit të tij, kur në shkolla do të duhej të ishin kryer punimet, pikërisht në këtë kohë të fillohen disa punë.
“Bëhet fjalë për dy shkolla të cilat është dashur të jenë kryer më së paku vitin e kaluar, pra shkolla e bujqësisë dhe ajo e gjimnazit dhe për këtë kemi pasur zotimet e institucioneve përkatëse se do të të gatshme të fillojnë jo në shtatorin e kaluar, pastaj në tetor, pastaj në gjysmëvjetorin e dytë dhe siç jemi dëshmitarë të gjithë, ato nuk janë të gatshme për punë ende”, ka thënë Isufi.
AI ka thënë se gjatë gjithë verës ky pushtet ka qëndruar duarkryq pa bërë asnjë punë dhe tani shkolla e bujqësisë apo shkolla e agrobiznesit siç po quhet, tek tash pas përurimit, po punohet në rregullimin e murit rrethues të shkallëve hyrëse, të oborrit etj.
“Ne kemi tërhequr vërejtjen se këto zvarritje po bëhen për të quar lëshimin dhe përurimin e këtyre shkollave në kohë të zgjedhjeve. Nëse kjo po ndodhë tashmë, po shihet dhe është e kuptueshme se është politizim i shkollave dhe dëmtim real nxënësve dhe shkollimit të tyre. Për këtë ne kemi dhënë opinionet tona me kohë dhe këto po dalin të sakta”, ka thënë Isufi.
Sipas tij, edhe shkapërderdhja e nxënësve të së njëjtës shkollë dhe të kuadrit të saj mësimor nëpër disa shkolla, të cilat mezi kanë arritur të fillojnë punën në dy ndërrime, e tash të kthehen në tri ndërrime, janë dhe sjellin çrregullime nga të cilat ka pasoja për gjithë vitin shkollor, e me këtë ndikohet dukshëm në dy gjëra tejet e rëndësishme, siç është mbarëvajtja por edhe cilësia e mësimit, për të cilën të gjithë pajtohen se nuk është ajo që e dëshirojmë.
Përndryshe, Isufi ka vënë në pah sipas tij edhe një të keqe tjetër, kur drejtorët të cilët punojnë dhe janë organizator të mirë dhe përpiqen të ushtrojnë kompetencat e tyre, qoftë edhe njëherë nëse ia prishin qejfin kryetarit të komunës për ndonjë preferencë të tij apo diçka tjetër, me një fjalë nuk tregojnë “dëgjueshshmëri”, kërcënohen me shkarkim, ndërsa të tillët që nuk arrijnë të kryejnë punët e udhëheqjes si duhet shikohen ndërmjet gishtave.
Nga ana e tij, Fehmi Sylejmani është përqendruar tek konkursi i DKA-së duke thënë se është përcjell me shumë parregullsi, duke filluar nga publikimi e deri në përfundimin e tij.
Ai tha se shumë shkolla e veçmas i atyre të mesmeve, i fshehën vendet e lira të punës, duke mos u bërë publike për arsye të ndryshme, ndonëse “taktika” e tyre tashmë është zbuluar dhe madje është demoluar, sepse çdo punëtor arsimor është i vetëdijshëm se për çfarë arsye nuk shpallen vendet e lira të punës.
“Edhe përkundër që drejtuesit dhe zyrtarët më të lartë të arsimit mundohen ta arsyetojnë, është provimi pranues i arsimtarëve, që është një veprim i paligjshëm dhe joprofesional. Me këtë veprim tipik joprofesional DKA po i injoron përgatitjet profesionale të arsimtarëve, po i injoron institucionet ku ata janë arsimuar dhe po i shpallë të pavlefshme dokumentet e tyre zyrtare”, ka thënë Sylejmani.
Ai tha se .drejtoria komunale e arsimit ka tejkaluar kompetencat e saja, duke kërkuar që të verifikojë cilësinë e institucioneve më të larta të arsimit. “Nëse dëshirojmë vërtetë të zgjedhim më të mirët është shumë lehtë të bëhet kjo punë, por vetëm duhet vullnet dhe nijet i mirë dhe në saje të kritereve të stabilizuara për vlerësim dhe në saje të kushteve që plotësojnë kandidatët. Prandaj, kërkojmë që kjo praktikë e dështuar dhe nënçmuese për arsimtarët të ndërpritet rreptësisht”, ka thënë Sylejmani.
Sipas tij, nëse punëtori i arsimit, përveç dëshmisë për nivelin e ngritjes profesionale duhet të testohet për të treguar dijet e tij, atëherë ai testim duhet bërë vetëm nga institucioni adekuat, ndërsa ai institucion i vetëm është katedra dhe fakulteti, ku ai ka kryer studimet, pra institucioni i cili ka të drejtë të organizojë ngritjen profesionale dhe vlerësimin e arsimtarëve.
“Një tjetër shqetësim pa dyshime është edhe Komisioni Intervistues, i cili është vetëm formalitet për të justifikuar poentimin, i cili nuk ka fare të bëjë me më të mirët, meqë dihet botërisht se pranimin e kuadrit mësimor, por edhe të punëtorëve ndihmës e bën dikush krejt tjetër- shefi. Pavarësisht se Komisioni Intervistues e kishte kryer poentimin e të gjithë kandidatëve konkurrues, lista e pranimit është publikuar vetëm një ditë para fillimit të viti shkollor, me qëllim që të papranuarit të mos kenë mundësi të ankohen”, ka thënë Sylejmani.
Sipas tij, në DKA duhet ta dinë se konkursi i rregullt duhet të publikohet në qershor, kurse pranimi duhet të bëhet në korrik, ndërsa konkursi jo i rregullt, i cili zgjatë vetëm 7 ditë mund të publikohet në muajin gusht. S’do mend se edhe kësaj radhe janë pranuar vetëm të preferuarit e shefit, duke mbetur jashtë listës më të mirët dhe ata që gjatë presin punë. /2lonline/