/ http://thefrontliner.me/2015/02/21/vetevendosje-sulmon-median/
Derisa Kushtetuta e Kosovës dhe kuadri ligjor siguron lirinë e shprehjes dhe lirinë e shtypit, ambienti i mediave në Kosovë vazhdon të jetë cak i kërcënimeve dhe përpjekjeve për t’i penguar gazetarët në vazhdimësi.
Gazetari i pavarur Vedat Xhymshiti, në një reagim të dërguar për media në mesditën e së shtunës tregon se një kërcënim ka ardhur përsëri në drejtim të tij. Ai tregon se mbrëmë dikush e kishte shpallur si njeri të humbur, përderisa disa miq të tij e kishin pyetur nëse çdo gjë ishte në rregull me të.
“Pas verifikimeve unë e kuptova se isha shpallur i humbur nga aktivistët e partisë Vetëvendosje” shkruan Xhymshiti.
Edon Buca aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dega në Gjilan, në një postim të tij shkruan: “Vedat Xhymshiti eshte njeri i humbur nese e gjeni ju lutem kontaktoni kete numer 044 687 249”
“Ky është një veprim i cili duket të jetë urdhëruar nga strukturat e partisë për të cilën Edon Buca dyshohet të jetë një aktivist i cili mbledh informacione, kërcënon ata që bëjnë ‘harame’ ndaj partisë, kufizon shoqërinë e aktivistëve dhe iu kanoset atyre që mund të jenë cak i partisë” tregon tutje Xhymshiti.
Ndërkohë që redaksia e ka verifikuar numrin të cilin Buca e ka dhënë si adresë për ta lajmëruar gjetjen e gazetarit Xhymshiti, dhe doli të jetë numri i ish-nënkryetarit të partisë VV në Gjilan Avni Rudaku, i cili përveq shumë arsyeve tjera duke përfshirë këtu edhe kërcënimet dhe kufizimeve të lirisë së shprehjes, dyshohet se është vetë Edon Buca ai që i është kanosur në ngjarjen kur nënkryetari Rudaku kishte kontestuar shumë zhvillime brenda partisë së tij.
“Dukshëm sa here që unë botoj artikuj gazetaresk në përmbajtjen e të cilëve është edhe partia VV, gjithnjë një kërcënim ka për të rrjedhur nga ata. Apo mbase edhe një plan veprimi” shkruan i shqetësuar gazetari Vedat Xhymshiti, i cili në përvjetorin e shtatë të pavarësisë së Kosovës ka botuar një artikull gazetaresk me titullin: “Kosova Shënon Ditën e Pavarësisë në Mes Dënimit dhe Errësirës” i cili është një shkrim i balancuar dhe i mbështetur në fakte kritike, diçka që duket t’i ketë shqetësuar strukturat e partisë Vetëvendosje.
Gazetari Xhymshiti në reagimin e tij tregon se e ka denoncuar veprimin e partisë Vetëvendosje në stacionin policor të Gjilanit, me ç’rast shpreh dyshimin se siç shkruan ai “Edoni (mbase!) është i vetëdijshëm se çfar e ka motivuar atë që të më shpall të humbur, mos ndoshta një plan i partisë për të më rrëmbyer, apo për të më humbur.”
Se gazetari i pavarur Vedat Xhymshiti është ende i gjallë ‘i habitur’ ishte shprehur edhe Alban Krasniqi, për të cilin gazetari Xhymshiti kishte reaguar që atëhere dhe shkruan i shqetësuar se “ai mund të ketë qenë një reagim në saje të ndonjë plani për të më likuiduar!” përfundon reagimi i gazetarit. Duke e vlerësuar kërcënimin si një paralajmërim serioz i një grupi siç e thotë ai “të dyshuar për veprimtari të jashtëligjshme dhe të rrezikshme!”.
Jo pak here është vërtetuar se aktivistë të cilët shqetësohen për veprimtaritë e partisë Vetëvendosje nuk kanë guxim të flasin hapur apo shprehin dyshimet e tyre.
Organet e sigurisë në Kosovë duhet të mbështesin sigurinë e gazetarëve dhe të ndërmarrin hapa serioz për të hetuar denoncimet e tyre.
Mungesa konkrete e mbështetjes ndërkombëtare për zbatimin e neneve ligjore në Kosovë pengon përpjekjet për të përmirësuar demokratizimin dhe mbrojtur të drejtat politike, civile përfshirë këtu lirinë e mediave në vend. Forcat ndërkombëtare të sigurisë në vend kanë dështuar të sigurojnë lirinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët dhe zyrtarët institucional në Kosovë, element ky i cili ndikon dhe ka kontribuar rëndë ‘errësirës’ informative se çfar po ndodh në bregun verior të Kosovës.
Ndryshe Vedat Xhymshiti më 13 mars të këtij viti do të thirret para gjykatës themelore në Prishtinë si palë e dëmtuar, dëshmitar dhe palë akuzuese kundrejt qeverisë së Kosovës e cila thirret para përgjegjësisë për rastin e tentimvrasjes së paramenduar e cila ishte ekzekutuar nga një polic i Policisë së Kosovës i identifikuar si Faruk Ibrahimi, aktakuza të cilit i është konfirmuar më 1 dhjetor 2014, por kundër të cilës Xhymshiti kishte apeluar pasi nuk ishte ndarë i kënaqur me një aktgjykim të gjykatës themelore të Gjilanit dega në Kamenicë e cila kishte gjykuar se për veprën e bërë më 14 Janar 2012, polici F. Ibrahimi do të vuante 120 ditë heqje lirie. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të mbaj një seancë tjetër gjyqësore më 3 mars 2015 në Prishtinë lidhur me apelimin e gazetarit Xhymshiti.
Dhuna ndaj lirisë së medias ishte shpërfaqur herët rreth ‘këmbëve’ të ministrit të jashtëm kosovar Hashim Thaçi, i cili njihet me nofkën e luftës si Gjarpëri. Në qershor të vitit 1997, në një incident që shumë individ në lëvizjen guerile e identifikojnë si një ‘ogurzi’, një gazetar shqiptar kosovar i cili kishte lidhje të ngushta me lëvizjen u gjet i vdekur në banesën e tij në Tiranë, “fytyra e tij ishte shëmtuar nga therjet e përsëritura me një kaçavidë dhe në fund të prapanicës i ishte vënë një shishe e thyer” raporton The New York Times. Reporteri Ali Uka, ishte përkrahës i lëvizjes kryengritëse, por ai ishte gjithashtu mjaftueshëm i pavarur sa për të kritikuar kryengritjen. Në kohën e vdekjes së tij, ai po bashkëjetonte në një apartament me Hashim Thaçin.
Politikanë dhe disa opinionist e kanë pohuar se ‘Vetëvendosje’ është një krijesë e shërbimit të fshehtë të partisë së ministrit të jashtëm Kosovar Hashim Thaçi, gjë që dyshohet se përpjekja e praktikës së vrasjeve politike për t’i shuar vigjilentët dhe zërat kritikues të kësaj natyre mund të jetë e trashëguar tek të rinjët e vetëvendosjes, ndryshe partia në fjalë jo pak here është përplasur me lirinë e gazetarëve në Kosovë, sidomos ata të cilët janë përpjekur të hulumtojnë veprimtaritë e tyre të dyshimta e të cilat kanë nxitur kurreshtjen e gazetarëve. Por, Vetëvendosje si parti asnjëhere nuk ka qenë subjekt i hetimeve të organeve të sigurisë, ndoshta Hashim Thaçi mund të ketë ofruar ndonjë mbështetje të tillë!
Në Kosovën e pasluftës janë likuiduar rreth tetë gazetar, në mesin e të cilëve 3 të huaj, dy gjerman dhe një serb. Katër vite pasi Kosova kishte shpallur pavarësinë gazetar i pavarur Vedat Xhymshiti ishte përballur me një vrasje në tentativë, çështja është cuar në gjykatë.
Mënyrat dhe format e presionit ndaj lirisë së medias nuk kanë të ndalur, ato sa vijnë e shtohen derisa asociacioni kombëtar i gazetarëve në Prishtinë është tejet i dobët për shkak të mungesës së gatishmërisë për të vepruar në mbrojtje të lirisë së shtypit.
Dikur Kosova renditej e 80-ta nga 180 vende në indeksin e lirisë së shtypit të Reporterëve pa Kufij, por kriza e lirisë së shtypit është shtypur në vazhdimësi duke e thelluar vendin nga viti-në-vit për ta sjellur atë shtatë vende më poshtë, e 87-ta për këtë vit, si pasojë e vazhdimësisë së shkeljeve fundamentale të lirisë së shtypit dhe fjalës së lirë, të cilat janë të garantuara në mënyrë të shkruar me Kushtetutë Neni 40 i saj.
Nga stafi i Magazinës THE Frontliner
www.thefrontliner.me