Vetëvendosje: Shqetësuese përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit nga EQAR-i

Vetëvendosje: Shqetësuese përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit nga EQAR-i

/Fjala e Deputetes së Vetëvendosjes, Arbërie Nagavci në seancën e jashtëzakonshme plenare për Agjencinë e Akreditimit/

Kjo seancë e jashtëzakonshme e thirrur sot po vjen si reagim pas një situate të krijuar, situatë e cila është rezultat i ndikimit të drejtpërdrejt të politikës, gjegjësisht i grupeve partiake dhe biznesore në sistemin e arsimit të lartë.

Vet situata e krijuar në arsimin e lartë së fundmi, por dhe në sistemin e arsimit në përgjithësi në vendin tonë, nuk paraqet asgjë të re apo të papritur, andaj dhe nuk duhet të na befasojë Vendimi i Regjstrit Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë të Agjensionit Kosovar të Akreditimit.

Ka kohë që politizimi i skajshëm i arsimit dhe ndikimi i tij çoftë nga grupe të ngushta të interesit, çoftë nga vendime të marrura në mënyrë të ngutshme, arbitrare, pa hulumtime dhe analizë të mirfilltë, ka bërë që cilësia në arsim të bije dukshëm, që rezultatet e synuara në dokumentet strategjike të mos arrihen as për së afërmi, dhe që e ardhmja e fëmijëve tanë dhe e vendit në përgjithësi, pikërisht për shkak të arsimit jo cilësorë, të mos jetë ajo që ne e dëshirojmë.

Nuk është e re as praktika e ndikimit politik në shkarkime dhe emërime në pozitat kyqe, çoftë në borde ashtu dhe në të gjitha institucionet tjera, andaj dhe Vendimi arbitrar i Kryeministrit Haradinaj të cilin e mori vetëm dy javë pas arrdhjes së tij në pushtet, për shkarkimin e KSHC të AKA, i cili u zbatua nga ministri Bytyqi, e fatkeqësisht nuk është e re edhe mungesa e plotë e llogaridhënies dhe mos marrjes së përgjegjësisë nga askush.

Ajo që është e re, nuk është se e kuptuam tani se AKA është e ndikuar politikisht, se nuk është e aftë të veproj në mënyrë të pavarur dhe nuk është në pozitë që të merr përgjegjësi të plota për veprimet e veta, i ri është vetëm fakti se këtë tani na e dëshmoi një Vendim i marrë nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë ( EQAR).

Vendimi për të përjashtuar Agjensinë Kosovare të Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) mund të ketë pasoja të mëdha dhe të rënda për arsimin e lartë në Republikën e Kosovës.

Ky vendim i marrë me 27 shkurt të këtij viti, vjen pas Vendimit të Ministrit të Arsimit, Shyqyri Bytyqi për shkarkimin e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (Këshillit Shtetëror të Cilësisë – KSHC), si dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit të kësaj Agjencie, vendim ky i marrë me 25 shtator 2017, me kërkesë të Kryeministrit Ramush Haradinaj.

Është tërësisht e papranueshme që arsimi i lartë në vend të dëmtohet deri në këtë masë për shkak të betejave partiake e biznesore në mes të grupeve të caktuara të interesit. Përkundër deklaratave zyrtare nga MASHT, të cilët nuk di se nga marrin guximin të deklarojnë se “ asnjë student nuk do të ketë problem me njohjen e diplomave ndërkombëtarisht apo pranim për regjistrim në Universitetet Evropiane dhe se ato do të trajtohen ashtu siç janë trajtuar deri më tash”, dhe se “ Tendenca për të thënë se diplomat e studentëve tanë nuk do të njihen në Evropë, janë manipulime të ulëta, dashakeqe dhe dëmtojnë imazhin e Universiteteve tona dhe diplomave tona”, e vërteta është se pas përjashtimit të Kosovës nga EQAR, do të komplikohen jashtëzakonisht shumë procedurat e aplikimit në Universitete ndërkombëtare për studentët e Kosovës e poashtu do të ketë mungesë besueshmërie për punësimin eventual në vende të ndryshme të Evropës, të studentëve që marrin diploma që do të lëshohen nga universitetet të cilat do të akreditohen pas përjashtimit të AKA-së nga EQAR. Këtë e pohon dhe vet Drejtori i EQAR, Zot. Colin Tuck, i cili ka deklaruar : “Është e sigurtë që procesi i aplikimit të studentëve kosovar në universitete ndërkombëtare, tashmë do të jetë më i gjatë dhe më i vështirë për shkak të procedurave shtesë që do të bëjnë universitetet evropiane”.

Por, duhet të mos harrohet fakti se shkarkimi i Këshillit është bërë për arsye krejtësisht partiake dhe kjo është tashmë një praktikë e zakonshme në qeveritë e vendit. Si Këshilli që u shkarkua, ashtu dhe Këshilli ri i propozuar janë persona partiakë të emëruar për interesa të grupeve të ngushta. Beteja për pushtet e kontroll të arsimit të lartë publik e privat në mes të këtyre grupeve ka sjellë në këtë situatë.
Agjencia e Akreditimit ka mbetur pa organe drejtuese për tashmë gati gjashtë muaj, dhe si rrjedhojë me institucione të arsimit të lartë të pa akredituara, pra praktikisht të pakontrolluara sa i takon cilësisë.
Një element i rëndësishëm në marrjen e vendimit për përjashtimin e Agjencisë tonë të Akreditimit ka edhe ndikimi i letrës së Kryetarit të Këshillit të kaluar, tashmë i shkarkuar nga qeveria aktuale, Zot. Blerim Rexha, person po ashtu partiak, nga radhët e PDK-së.

Edhe ankuesi apo i shkarkuari vjen nga një eksperiencë e keqpërdorjes së Këshillit të Cilësisë. Ka jo pak raste kur ishin pezulluar akreditime të programeve, për t’i rikthyer të njëjtat brenda ditësh dhe javësh dhe po ashtu regjistrime të studentëve përtej kuotave të caktuara. Këshilli i kaluar Shtetëror i Cilësisë, po ashtu asnjëherë nuk ishte ratifikuar në Kuvend, sipas obligimit ligjor, pra faktikisht as ai nuk ka qenë valid. Por,përgjigja që erdhi nga Qeveria aktuale ndaj shkeljeve të këshillit të kaluar nuk ishte hetimi, shqyrtimi, vendosja para përgjegjësisë për këto shkelje, por shkarkimi i plotë i të gjithë anëtarëve, mungesa e plotë e transparencës dhe mos raportimi në Kuvend sipas përgjegjësisë ligjore si dhe propozimi i një grupi tjetër po aq partiak sa ky i shkarkuari.

Kujdesi dhe masat ndaj veprimeve të Këshillit të cilësisë do të duhej të vinin shumë kohë më parë, dhe atë për akreditime të kundërligjshme dhe krim të organizuar, por situata erdhi ashtu që për inate personale dhe grupore, për direktiva partiake, të vendosen studentët tanë në rrezik të ballafaqimit me sfida të shumta rreth njohjes së diplomave të tyre.

Kjo që po ndodh është në fakt një betejë në mes të partive në pushtet për të favorizuar dhe kontrolluar bartësit e arsimit të lartë në vend. Me një qeveri të tillë të papërgjegjshme jo vetëm se nuk mund të pritet liberalizimi i vizave, por edhe ata apo ato studente që mund të gjejnë vetë mënyrën e financimit, të sigurojnë bursa për studime apo çfarëdo zhvillimi profesional jashtë vendit, do të kenë vështirësi të mëdha. Përgjegjësia është e institucioneve të vendit, në radhë të parë e Qeveris së Kosovës , konkretisht Zot. Haradinaj e sigurisht edhe e Ministrit të Arsimit.

Lëvizja VETËVENDOSJE! e konsideron si shumë shqetësuese përjashtimin e Agjencisë së Akreditimit nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë dhe kërkon urgjentisht nga Qeveria dhe MASHT që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të përmirësuar këtë dëm të madh që po i bëhet arsimit të lartë nga ndikimet politike e partiake.

Ndër masat emergjente për ta tejkaluar këtë gjendje propozojmë:

Brenda afatit të ankimimit prej nëntëdhjetë ditëve, të ndërmerren të gjitha veprimet e duhura për të kthyer AKA-në në EQAR.

Të kryhen të gjitha obligimet ligjore të ministrisë, në rradhë të parë raportimi në Kuvend për shkarkimin e ish KSHC të AKA-së sipas nenit 7, pika 5 e LAL në Kosovë, ku parashhet se: “Nëse më shumë se një e treta e anëtarëve të bordit zëvendësohen për çfarëdo arsye brenda një viti, Ministria duhet ti raportojë këtë Kuvendit”, raportim që nuk është bërë asnjëherë përkundër kërkesës sonë të vazhdueshme.

Të njoftohet Kuvendi dhe gjitha palët e interesuara se pse janë shkarkuar përnjëherë të gjithë anëtarët e Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditimi, në mesin e të cilëve kishte edhe anëtarët ndërkombëtar, ekspertë të arsimit të lartë, që vlerësohen nga komuniteti akademik ndërkombëtar? Të na tregoni se a ka pasur një hulumtim dhe analizë të punës dhe performancës së KSHC së AKA-së? Nëse po nga kush, cilat janë gjetjet, gjegjësisht shkeljet apo parregullsitë e supozuara, çfarë është ndërmarrë apo do të ndërmirret për t’i përmirësuar këto parregullsi dhe pse këto nuk janë bërë publike?

Të tërhiqet pika e planifikuar për seancën e kaluar për Ratifikimin e Anëtarëve të KSHC-së dhe e njëjta të risillet në rend të ditës pas marrjes së të gjitha masave që garantojnë një proces krejtësisht të besueshëm, profesional, konstruktiv e me transparencë të plotë, që reflekton me propozimi të anëtarëve të rinj të KSHC–së që kanë kredibilitet profesional e moral , të paanshëm politikisht, të liruar nga konflikti i interesit e me integritet personal. Kjo duhet të bëhet sa më parë në mënyrë që të funksionalizohet puna e AKA-së.

Të iniciohen ndryshimet ligjore që do të mundësonin mekanizma dhe instrumente për të rregulluar këtë çështje në të ardhmen.

Përndryshe, bazuar në papërgjegjësinë e plotë të institucioneve tona, është shumë e mundur që AKA të përjashtohet edhe nga Rrjeti i Agjensive për Sigurimin e Cilësisë që është edhe themeluesi kryesorë i Regjistrit.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE