DYLON

Vetëvendosje: Regjimi në Kosovë krimet i kryen prapa krahëve të publikut në favor të Veselit

Vetëvendosje: Regjimi në Kosovë krimet i kryen prapa krahëve të publikut në favor të Veselit
Avatar photo Redaksia

Sot është duke u mbajtur në fshehtësi seanca e radhës e gjyqit politik që regjimi autoritar në Kosovë po zhvillon kundër katër deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje!: Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Faton Topalli, thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Sot do të duhej që të dëshmonte Kadri Veseli, por prokurori e ka tërhequr dëshminë e tij. Madje, kur deputetët Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kërkuan sqarime për këtë vendim për Veselin, gjyqtari i përjashtoi ata dy nga seanca. Ky gjyqtar i përjashtoi nga publiku edhe deputetët Adem Mikullovci, Sami Kurteshi, Ismajl Kurteshi, Xhelal Sveçla”.

Më tej në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje thuhet:

EkoHigjiena

Rikujtojmë se të katër deputetët janë vendosur në bankën e të akuzuarve vetëm nga që patën guximin t’i dilnin në mbrojte sovranitetit të Republikës dhe integritetit territorial të vendit, duke kundërshtuar “Zajednicën” dhe marrëveshjen për “Demarkacionin”.

Gjykata Kushtetuese dhe komisioni i ri shtetëror për “Demarkacionin” kanë dëshmuar institucionalisht se këto dy marrëveshje cenojnë sovranitetin dhe territorin e vendit. Ky fakt do të mjaftonte që sot, në bankën e të akuzuarve, të ishin ata që i kanë nënshkruar dy marrëveshjet dhe jo deputetët që i kundërshtuan ato. Por në vend që të dënohen shkelësit, përmes kapjes së sistemit gjyqësor, regjimi po tenton të dënojë pikërisht ata që e mbrojtën popullin dhe vendin ndaj akteve kriminale të vetë regjimit, dhe ketë krim të radhës regjimi po tenton ta kryejë mbrapa krahëve të publikut.

Në seancën e parë gjyqësore ndaj katër deputetëve të Lëvizjes, u lejua transmetimi direkt televiziv dhe aty mbarë opinioni publik kuptoi nivelin e ulët profesional dhe motivet e pastra politike që po e shtynë gjyqtarin Kalludra të çojë përpara këtë proces kryekëput politik. Kujtojmë se ky është i njëjti gjyqtar që dënoi pa asnjë provë apo dëshmi, me një akuzë krejtësisht të montuar, edhe 4 aktivistët e Lëvizjes Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Adea Batusha dhe Egzon Haliti. Sakaq, në seancën e sotme gjyqësore, Kalludra e ndali për herë të dytë mundësinë e mediave për ta pasqyruar këtë proces për publikun e gjerë. Meqenëse regjimi i ka humbur të gjithë argumentet, përpiqet sot ta mbrojë veten përmes censurës – mjetit të preferuar të çdo regjimi autoritar.

Ky proces politik gjyqësor, tashmë i censuruar, është në të njëjtën linjë me mënyrën se si u nënshkruan marrëveshjet për “Zajednicën” dhe “Demarkacionin” në gusht të vitit 2015. Edhe në atë kohë, regjimi nuk i paraqiti paraprakisht këto dy marrëveshje në Kuvend, siç ishte i detyruar ligjërisht të vepronte, dhe nuk tregoi kurrfarë transparence ndaj publikut deri sa këto dy marrëveshje shtet-rrënuese u nënshkruan. Sot, sërish në fshehtësi, regjimi po tenton ta mbulojë krimin e këtyre dy marrëveshjeve me një tjetër krim: procesin politik gjyqësor ndaj deputetëve të Lëvizjes. Sërish sot, përmes censurës, regjimi po vepron në fshehtësi, larg syve të publikut.

Lëvizja Vetëvendosje e dënon censurën e gjyqtarit Kalludra dhe të regjimit autoritar në Kosovë, dhe kërkon me ngulm transparencë dhe drejtësi për të gjithë përfaqësuesit e popullit që ndodhen sot padrejtësisht në bankën e të akuzuarve.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.