Vetëvendosje: Rasti i AKI-së, shkarkimi do t’i hapte rrugë reformës në organet e sigurisë

Vetëvendosje: Rasti i AKI-së, shkarkimi do t’i hapte rrugë reformës në organet e sigurisë

Sipas deputetit dhe anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimit, pas skandalit të publlikuar ku djali i drejtorit të AKI-së, Shpend Maxhunit është arrestuar sepse i ishte gjetur armë dhe narkotikë, Vetëvendosje denoncon përpjekjen e institucioneve të sigurisë për të fshehur të vërtetën për këtë rast.

“Ne dyshojmë, e qytetarët janë të sigurt, se bëhet fjalë për privilegjim të të afërmve të njerëzve që kanë kapur majat e institucioneve tona shtetërore. Më e rëndë sesa arrestimi dhe fajësia e djalit të Maxhunit është tentativa e institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë për ta mbuluar të vërtetën. Shpërputhja mes deklaratave të prokurorisë dhe të policisë për rastin ‘Maxhuni’ janë prova se ka patur tashmë ndërhyrje nga lartë për ta deformuar ngjarjen”, ka thënë Selimi.

Sipas tij, emërimet e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, ai skandaloz i Drejtorit të AKI-së dhe drejtimi i Prokurorisë nga një kryeprokuror si Lumnezi janë bërë pikërisht duket pasur në mendje nevojën e ndërhyrjeve nga sipër për raste të tilla dhe jo garantimin e sigurisë dhe drejtësisë për qytetarët.

“Dorëheqja, apo në mungesë të përgjegjësisë morale, shkarkimi i drejtuesve të tillë të institucioneve të sigurisë do të ishte hapi i parë drejt reformës shumë të nevojshme ne drejtësi dhe në organet e sigurisë në Kosovë”, tha deputeti Selimi.

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, në këtë situatë të rëndë, reformat janë të domosdoshme jo vetëm për institucionet e drejtësisë, por edhe për ato të sigurisë. Vetëvendosje vlerëson se vlen të rikujtohet procesi i Vetting-ut për Policinë para disa viteve, ku shumë udhëheqës të institucionit arbitrarisht vendosën të mos e kalonin atë proces, mes tyre edhe Drejtori aktual i AKI-së Shpen Maxhuni. Prandaj, është i domosdoshëm një vetting i hollësishëm për të gjitha institucionet e sigurisë dhe drejtuesit e tyre, në mënyrë që udhëheqja e këtyre institucioneve të mos degradojë në një qoshk prej të cilës nuk mund të të hetojnë për krim dhe korrupsion.

“Sot, qytetarët e Kosovës jetojnë në një ambient të pasigurt. Ky ambient është i pasigurt jo sepse është jashtë kontrollit, por përkundrazi, sepse është totalisht brenda kontrollit. Jo brenda kontrollit të institucioneve të sigurisë, por nën kontrollin e grupeve mafioze, qoftë brenda, qoftë jashtë institucioneve të shtetit”, vlerëson Vetëvnedosje.

KOMENTE