DYLON

Vetëvendosje: Raporti i Progresit – vazhdim i ngecjeve dhe i dështimit

Avatar photo Redaksia

Raporti i Progresit 2014 përmban kritika të shumta për Kosovën. Mirëpo, Kryeministrit në ikje, Raporti i Progresit iu duk pozitiv. Sipas tij, Kosova edhe këtë vit gjendet “para një fillimi të ri…një epoke të re…një epoke të integrimit evropian”, porse nuk e sqaroi se çfarë do të duhej të ishte ky fillim i ri, thuhet në një komunikatë të Vetëvendosjes.

Padyshim që nevojitet një fillimin i ri, por ai do të ndodhte nëse Hashim Thaçi mos të shtrembëronte përsëri realitetin por të pranonte ngecjet dhe dështimet e Qeverisë së tij duke i hapur rrugë edhe largimit nga ai post. Pra, fillim i ri do të ishte kur ai do t’i tregonte qytetarëve se Raporti i Progresit, në vend se të tregonte “progres të theksuar” në krahasim me vitin e kaluar, nuk paraqet pothuajse asnjë hap pozitiv përveç dështimeve dhe stagnimeve të njëpasnjëshme.

EkoHigjiena

Njëjtë si në vitin 2013, Raporti i Progresit fokusohet në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, ndryshe, këtë vit thuhet se marrëveshjet e arritura në dialog kanë shënuar shumë pak progres dhe në disa raste procesi edhe ka stagnuar duke mos potencuar asnjëherë arsyen apo shkakun e stagnimit. Në raportin e vitit 2013 thuhet se dialogu Kosovë-Serbi i ka hapur rrugën Kosovës për pjesëmarrje dhe përfaqësim në organizatat dhe forumet rajonale, ndërsa, në raportin e vitit 2014 del se marrëveshja për përfaqësim dhe pjesëmarrje të Kosovës në organizata dhe forume, siç janë pajtuar palët në dialog, nuk ka pasur efektin e dëshiruar. Kësisoj, implementimi i marrëveshjes për përfaqësimin e Kosovës në forume rajonale vazhdon të jetë problematik.

Strategjia antikorrupsion, e cila në vitin 2013 u konsiderua si hap i rëndësishëm për ta luftuar korrupsionin, në raportin e viti 2014 thuhet se ka dështuar në arritjen e rezultateve konkrete për shkak të mbështetjes së dobët politike dhe se luftimi i korrupsionit duhet të mbështetet fuqimisht nga vullneti politik i cili gjithmonë ka munguar. Çështje tjetër e cila vazhdon të mbetet tejet shqetësuese është edhe ndërhyrja politike në gjyqësor duke cenuar pavarësinë e sistemit gjyqësor.

Në raport me një gjuhë të përzgjedhur diplomatike thuhet se përmes një procesi të drejtë dhe të papolitizuar duhet të zgjidhet Avokati i ri i popullit, në mënyrë që të sigurohet pavarësia e institucionit dhe mbrojtja e të drejtave të qytetarëve të Kosovës.

Edhe pse çdo vit radhazi është premtuar se rekomandimet e raporteve të progresit do të adresohen, në raportet e progresit çdo vit vijnë rekomandime pothuajse të njëjta. Edhe këtë vit, shqetësuese mbeten kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve nga policia dhe zyrtarët publik, ndërhyrja politike në media, shkelja e të drejtave të punëtorëve dhe rreziku i lartë në vendin e punës (vetëm gjatë vitit 2013 kanë ndodhur 54 aksidente dhe 17 aksidente me fatalitet), numri i vogël i inspektorëve të punës, ndërhyrja politike në administratën publike, papunësia e lartë, dhe numri i lartë i azilkërkuesve nga Kosova për në shtetet evropiane për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në vend. Kështu, duke krahasuar rekomandimet e raporteve të kaluara me raportin e këtij viti, kuptojmë se Kosovës në të vërtetë i duhet një fillim i ri, një politikë e re dhe padyshim një Qeveri e re, thuhet në fund të komunikatës së Lëvizjes Vetëvendosje.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.