DYLON

Vetëvendosje: Qeveria nuk lejon hetim ndërkombëtar për rastin e Astrit Deharit

hetim ndërkombëtar
Avatar photo Redaksia

Zyra e Kryeministrit ka refuzuar hetimin e pavarur të rastit të Astrit Deharit nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në kuadër të Qendrës Universitare në Lozanë të Zvicrës, thonë në Vetëvendosje.

Për këtë veprim i cili është në vazhdën e tentimeve të Qeverisë për të penguar hetimin e këtij rasti, në një konferencë për media folën deputeti I kësaj Lëvizjeje Driton Çaushi dhe anëtari i Kryesisë, Sami Kurteshi.

Deputeti Çaushi bëri një renditje kronologjike të të gjitha veprimeve të pushtetit me synimin për ta heshtur këtë rast, duke theksuar se rasti i refuzimit të hetimit ndërkombëtar nga një institut me kredibilitet aq të lartë flet më së miri për kapjen e drejtësisë në Kosovë.

EkoHigjiena

“Me datën 20 dhjetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë e cila hapte mundësinë për një investigim të pavarur ndërkombëtar për shkaqet e vdekjes së Astritit. Kjo pra u votua në Kuvend, dhe ajo që tani kemi marrë si lajm është se Zyra e Kryeministrisë, pra Qeveria e Kosovës, refuzon kërkesën e familjes për investigimin e këtij rasti nga një institucion zviceran me renome botërore, me një të kaluar të sukseshme të rasteve të zgjidhura të hetimeve të ndryshme”, bëri me dije Çaushi.

Ai kritikoi deklarimet e fundit të Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila në lidhje me rastin e vdekjes së aktivistit Dehari, tha se nuk do të merret me të kaluarën. Por, shtoi po ashtu se askush s’do të mund të fshihet në të kaluarën për krimin e bërë në Burgun e Prizrenit.

Kurse, Sami Kurteshi sqaroi gjitha veprimet në lidhje me kërkesën për hetim ndërkombëtar. Ai tha se me 2 mars të këtij viti është bërë kërkesë nga avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, e cila nuk mori përgjigje për më shumë se një muaj.

Më pas tregoi se me 18 prill ka pasur një urgjencë nga avokati drejtuar Ministres së Drejtësisë, Dhurata Hoxha, e cila më pas bart përgjegjësinë tek Zyra e Kryeministrit.

Tutje, avokati Gashi drejton me 21 prill kërkesën për hetim ndërkombëtar pranë Zyrës së Kryeministrit, sipas udhëzimeve nga Ministria e Drejtësisë, e që më pas refuzohet me 3 maj.

“Me 3 maj 2017, avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, pranon një letër nga Drejtori i Zyrës Ligjore në Zyrën e Kryeministrit dhe e njofton për përgjigjen që Ministria e Drejtësisë ka marrë për kërkesën me 14 prill.

Me ketë përgjigje refuzohet nga Zyra e Kryeministrit hetimi ndërkombëtar i rastit të Astrit Deharit”, sqaroi Kurteshi, duke përmendur se si kjo Zyrë nuk i kthen drejtpërdrejt përgjigje avokatit Gashi pa asnjë arsyetim.

Ai po ashtu foli edhe për kredibilitetin dhe profesionalizmin e lartë të institutit, duke theksuar se ky institut është marrë edhe me rastin e vrasjes së kryeministrit libanez dhe raste të tjera të njohura.

Në fund, u potencua se gjitha këto veprime flasin për tentimin e pushtetit për ta fshehur të vërtetën në lidhje me rastin, por pavarësisht gjithë kësaj, u tha edhe një herë se Lëvizja Vetëvendosje nuk do të heq dorë asnjëherë nga zbardhja e të vërtetës për vdekjen e dyshimtë të Astritit.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.