Vetëvendosje: Pozita e ka degraduar Kuvendin Komunal, po “driblon” me ligjin dhe rregulloret

Vetëvendosje: Pozita e ka degraduar Kuvendin Komunal, po “driblon” me ligjin dhe rregulloret

Seanca e fundit e Kuvendit Komunal në Gjilan ishte shkas i konferencës së sotme të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan. Sipas drejtuesëve të kësaj Lëvizjeje janë gjetur shkelje të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale të Republikës së Kosovës dhe shkelje të rregullores së Kuvendit, për çka anëtarët e kësaj Lëvizjeje edhe e braktisën seancën e 31 tetorit.

Sipas shefit të Grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosjes, njëherësh kryetar i Qendrës, Nevzad Isufi, ekzekutivi po e degradon kuvendin komunal, duke mos harmonizuar planin e punës së Kuvendit dhe implementuar atë në praktikë, transmeton.

“Jeni dëshmitarë të stërzgjatje së Mbledhjeve të mbledhjeve për shkak të mënyrës jo të mirë të planifikimit të punës së Kuvendit, udhëheqjes së plogësht dhe ngulfatjes, duke krijuar pamundësi për të shqyrtuar të gjitha çështjet që shtrohen në rendin e punës së Kuvendit. Kishin 11 ditë kohë për t’u përgatitur, por kjo nuk u mjaftoi drejtorëve të Lutës, të cilët veprojnë pa plane dhe ad-hoc ose me veprime improvizuese”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, në këtë seancë nuk mjaftuan 10 pikat e rendit të ditës, ndërsa u propozuan edhe tri të tjera për rendin e punës, ku materiali u dha aty për aty, për njërën pikë, nuk pati material dhe as arsyetim.

Këto veprime të pa planifikuara e të momentit, Isufi tha se janë të papranueshme për partinë më të madhe opozitare në Kuvendin Komunal, Vetëvendosjen, sepse kjo ishte drejtpërdrejtë shkelje e rregullores së Kuvendit për çka e din edhe vet këshilltarët komunal.

Isufi tha se propozimet dhe arsyetimet e tyre (pozitës) ishin të mangëta dhe partia në pozitë LDK, por edhe partnerët e koalicionit po veprojnë sipas tekeve të tyre.

‘E para që mund të thuhet është se asnjëra nga këto tri propozime nuk ishin as nuk janë çështje urgjente, siç theksohet edhe në nenin 47 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale. Ndërsa, dy propozimet e drejtorëve duhej të refuzoheshin, sepse janë në kundërshtim me procedurën e funksionimit të Kuvendit Komunal. Përveç se bie në kundërshtim të Nenit 47, ekzekutivi bie në kundërshtim edhe me Nenin 43, paragrafi 3, i cili thotë se anëtarët e Kuvendit duhet të pajisen me kohë me materialin e mbledhjes me shkrim 7 ditë para ditës së mbajtjes së mbledhjes’, ka theksuar Isufi.

Sipas tij, injorimet e pozitës ndaj propozimeve të partive opozitare ishin shkas që këshilltarët komunal braktisën seancën, pasi nuk mund të pajtohen që organi më i lartë legjislativ në komunë – Kuvend, të degradohet në këtë shkallë.

‘Ne nuk mund të katandisemi në spektatorë që bëjnë sehire dhe shikojnë se si luhet e ‘driblohet’ me ligjin e rregulloret, në sytë e tanë e të qytetarëve, gjoja në të mirë të qytetarëve. Prandaj, në shenjë pakënaqësie ne lëshuam sallën, jo për shkakun tonë, por nga injorimet dhe shkeljet për të cilat edhe ata ishin të bindur se janë bërë. Nuk kishim tjetër zgjidhje, vazhdimisht na injorojnë. Në të vërtetë që nga momenti kur partia në pushtet ka bërë tre katër numra-vota, ka filluar të shfaqë arrogancë jo vetëm me ne, por edhe me ligjet dhe rregulloret”, ka përfunduar Isufi.

Sipas tij, anëtarët e Kuvendit nga pozita janë shndërruar në një makinë të thjeshtë që flet vetëm duke votuar verbërisht, pa folur e debatuar pa e ditur se pse dhe me çfarë qëllimi bëhet një gjë e tillë./Elife Sherifi/

KOMENTE