DYLON

Vetëvendosje nuk është autore, por i përkrah grafitet kundër Thaçit e Mustafës

Avatar photo Redaksia

Nuk është vetëm Lëvizja Vetëvendosje, ajo e cila po e kundërshton Zajednicën, por janë edhe qytetarë të tjerë të Kosovës, që po e bëjnë një gjë të tillë. Kështu thotë për “Bota sot”, zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, sipas të cilit Lëvizja Vetëvendosje, nuk është autore e grafiteve kundër kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit.

“ Lëvizja VETËVENDOSJE! nuk i ka shkruar ato grafite. Çdo aksion që e bëjmë ne e bëjmë publikisht duke i njoftuar mediat. Sidoqoftë, ne mbështesim këdo që i ka bërë ato parulla dhe këtë e shohim si një shenjë që nuk është vetëm VETËVENDOSJE! që po e kundërshton “Zajednicën” por ka edhe qytetarë të tjerë që janë të pakënaqur”, thotë Krasniqi për “Bota sot”.

EkoHigjiena

Mirëpo, grafitet e shkruara nëpër rrugët e Prishtinës me fjalët, “Isa Hasha Esat Pasha”, nuk po vlerësohen si të denja nga publicisti Skënder Zogaj.

Zogaj, thotë se etiketimet gjithmonë e ndaj kujtdo që bëhen, nuk janë mënyrë e mirë veprimi, as edhe e dobishme, sepse nuk e ndihmojnë zhvillimin e veprimeve dhe te bartësve të tyre.

“Të këtilla I konsideroj edhe shume nga etiketimet qe po manifestohen ndaj personaliteteve politike e shtetërore, siç është rasti edhe me dy figurat me të larta kryeministrin Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministrin dhe ministrin e jashtëm të Kosovës, Hashim Thaçin, ndaj të cilëve kaluare të caktuara kanë lansuar etiketime të shumta denigruese. Grafitet nëpër rruge që e rikthejnë vëmendjen tek tradhtia e Esad Pashës që jepet në shenjë të paralelizmit dikur e sot, nuk mendoj se është e qëlluar, për më tepër e konsideroj krejtësisht primitive dhe aspak funksionale”, vlerëson Zogaj.

Sipas tij, negociatat me Serbinë nuk janë angazhime personale të fshehta por janë institucionale dhe plotësisht të hapura, me prezencë ndërkombëtare, kështu që, çfarëdo lloj krahasimi me Esad Pashën nuk qëndron.

“Autoret e grafiteve por edhe disa media, që kohëve të fundit janë përpjekur që të kritikojnë dukuri e veprime negative, duhet ta dinë se me etiketime nuk ndihmojnë por pengojnë proceset aktuale, të cilat më shumë se për kritika kanë nevojë për angazhime të mirëfillta dhe konstruktive për gjetje te zgjidhjeve te duhura, e jo për kritika denigruese dhe propagandë fishkulluese, që dëmton proceset. Një shoqëri që dëshiron zhvillim të suksesshëm nuk i përdor etiketimet e hekurta bardh e zi: tradhtar-hero, siç po ndodh në Kosovë aktualisht”, përfundon Zogaj.

http://botasot.info/lajme/445151/vetevendosje-nuk-eshte-autore-por-i-perkrah-grafitet-kunder-thacit-e-mustafes/