DYLON

Vetëvendosje në mbështetje të Sindikatës së punëtorëve të RTK-së

Avatar photo Redaksia

Gjatë ditës së sotme përfaqësuesit e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kryetari Albin Kurti, deputetët Visar Ymeri e Puhie Demaku si dhe këshilltari ligjor Armend Shkoza u takuan me përfaqësuesit e Sindikatës së Radio Televizionit Publik, kryetari Fadil Hoxha dhe nënkryetarët Flora Durmishi dhe Arsim Halili.

Gjatë këtij takimi u diskutua në lidhje me zhvillimet e fundit në RTK dhe për gjendjen e punëtorëve në këtë institucion publik.

EkoHigjiena

Disa nga çështjet që dolën në diskutim lidhen me trysninë e vazhdueshme e tepër të egër nga menaxhmenti kundrejt punëtorëve, me praktikat korruptive tashmë të kthyera në zakon, me programacionin që në një masë të madhe është jocilësor, me punësimet përgjithësisht sipas praktikave nepotike apo klienteliste, me problemin e borxhit në rritje të këtij institucioni, shuma totale e të cilit mbetet e panjohur.

Po ashtu, një problem që u veçua gjatë diskutimit ishte ndërhyrja dhe ndikimi i madh politik e partiak, posaçërisht nga Qeveria tashmë në largim.

Përfaqësuesit e VETËVENDOSJE!-s shprehën mbështetjen e plotë dhe solidarizimin parimor me sindikalistët e RTK-së të kryesuar nga Fadil Hoxha. Si edhe më herët, grupi parlamentar dhe organizata jonë kanë qenë dhe do vijojnë të jenë në mbrojtje të RTK-së si Televizion Publik. Deri më tash ky institucion ka qenë i ekspozuar nga sulmet e vazhdueshme të regjimit privatizues, nga i cili tashmë çdo sektor publik është i prekur dhe i zhvleftësuar.

Në këtë drejtim prej vitit 2012 Lëvizja VETËVENDOSJE! ka kërkuar ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për RTK-në.

Më të rifilluar puna e Kuvendit të Republikës, grupi parlamentar i VETËVENDOSJE!-s do ta ngre sërish deri në adresimin e plotë të të gjitha shqetësimeve të Sindikatës së Radio Televizionit Publik të Kosovës.