/2L ONLINE/ – Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan shënoi 10 vjetorin e themelimit të saj, me ekspozitë me fotografi përgjatë këtyre 10 viteve, shfaqje të filmit dokumentar për “10 vjet gjithnjë në lëvizje” që i kushtohet aktivistit të VETËVENDOSJE!-s, si dhe me ndejë të organizuar për të pranishmit në këtë përvjetor.
Asambleisti i Lëvizjes në Kuvendin Komunal të Gjilanit, Nevzad Isufi, foli për rritjen e vazhdueshme të Vetëvendosje-s, dhe për sfidat e ndryshme që kishim në këto 10 vite. “Synimet tona programore, bazuar edhe në programin tonë politik dhe Alternativën Qeverisëse janë të mëdha, prandaj edhe janë frymëzuese si kauza. Parimi i vetëvendosjes së kombeve e bën vendin tonë të barabartë në mesin e kombeve tjera, kurse shtyllat kryesore të programit si shteti i së drejtës, shteti zhvillimor dhe shteti social janë kushte të domosdoshme për zhvillim ekonomik, mirëqenie e drejtësi”, tha mes tjerash Isufi.
Aktivistja Luljeta Rashiti tha se askujt përgjatë historisë nuk iu kanë falur të drejtat, as mirëqenia e as liria, por ato gjithmonë janë fituar. “Prandaj jemi në Vetëvendosje. Ne nuk shpresojmë se mirëqenia mund të vijë prej jashtë. Atë duhet ta ndërtojmë vetë. Ashtu siç pohon edhe fjalia e parë e manifestit të organizatës sonë ‘Liria nuk jepet’. Pra, ne angazhohemi bashkë që të fitojmë. Për këtë duhet të bëhemi shumë dhe gjithmonë bashkë”, theksoi Rashiti.
Të pranishmit në këtë përvjetor i përshëndeti edhe Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Në fjalën e tij të rastit, Ymeri shpjegoi se si është themeluar Qendra e Vetëvendosje-s në Gjilan. “Lëvizja në Gjilan ka 20 gushtin si datë të themelimit saj. Mirëpo, angazhimi politik i aktivistëve nëpër aksione të ndryshme politike ka ndodhur shumë para kësaj date, duke kundërshtuar kështu decentralizimin etnik që bëhej në Kosovë në përgjithësi, dhe në Anamoravë në veçanti. Pra, angazhimi politik i ka paraprirë organizatës. Decentralizimi që kundërshtonim që atëherë, është veç faza e parë e “Zajednicës” që duan ta bënë tash. Është faza e parë e krijimit të këtij entiteti të pavarur brenda Kosovës, porsi Republika Serbe në Bosne, që ia pamundëson shtetit të Kosovës kontrollin në një pjesë të territorit, si dhe ia pamundëson sovranizimin dhe zhvillimin”, tha Ymeri.
Ai në fund u bëri thirrje qytetarëve të Gjilanit që të bashkohen, dhe të angazhohen me gjithë potencialin në kundërshtim të projektit të “Zajednicës”, projekt ky që qëllim kryesor ka paralizimin e shtetit të Kosovës dhe rritjen e kontrollit të Serbisë brenda Kosovës. /2L ONLINE/