/2L ONLINE/ – E kishin kritikuar pushtetin aktual në Gjilan, se nuk i ka punët mirë në sferën e arsimit duke thënë se arsimi në këtë komunë po përcillet me dobësi, lëshime, defekte, shkelje ligjore… dhe kjo kishte bërë që drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa të reagojë, duke thënë se Vetëvendosje nuk e flet të vërtetën, por tani kjo Lëvizje përmes një komunikatë të dërguar në adresën tonë, është kundërpërgjigjur në reagimin e Musës, duke thënë se pikërisht ai nuk e thotë të vërtetën.
Paraprakisht, shih shkrimet në fjalë pastaj ja edhe kundër reagimi i plotë i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan.
Musa: Vetëvendosje nuk e flet të vërtetën
Vetëvendosje: Arsimi me dobësi, lëshime, defekte, shkelje ligjore…
Ja kundër reagimi i Vetëvendosjes:
“Lëvizja VETËVENDOSJE! në Gjilan e kupton fort mirë rëndësinë dhe pozicionin e të parit të arsimit në Gjilan, por assesi nuk e pranon të pavërtetën dhe reagimin e drejtorit të Drejtorisë së Arsimit në Gjilan, në portalin lokal www.2lonline.com, rreth konferencës së Lëvizjes Vetëvendosje të mbajtur më 24. 04. 2015, ne Gjilan, kinse Lëvizja Vetëvendosje! po e thotë të pavërtetën.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, me fakte, dëshmi dhe argumente kanë paraqitur dhe prezantuar para medieve dobësitë, lëshimet dhe shkeljet ligjore që janë bërë në këtë sektor. Prandaj të gjitha ato që janë thënë në këtë konferencë qëndrojnë saktë, ashtu siç janë publikuar dhe nuk ka asnjë gjë të pavërtetë.
Për hir të opinionit të gjerë dhe korrektësisë së arsimdashësve dhe lexuesve, po ua përkujtojmë edhe një herë pushtetarëve gjilanas si kundër edhe të tjerëve, faktet e dhëna dëshmuese rreth punës së arsimit në Gjilan, përkatësisht shkeljet e njëpasnjëshme ligjore:
– Janë mbi 50 punëtorë që janë të pranuar me kontratë në vepër, gjë që paraqet shkelje ligjore;
– Brenda kësaj Drejtorie punon një punëtore, në pozitën e zyrtarit për shkolla të mesme me kontratë në vepër, e pa kualifikuar dhe pa eksperience;
– Përbërja e Komisionit Intervistues për drejtor dhe zëvendësdrejtor e paligjshme dhe politike (Pika 2 e nenit 3, të udhëzimit Administrativ të MASHTI 08/2014 për procedurat e zgjedhjes së drejtorit dhe zëvendësdrejtorit në institucione edukativo arsimore aftësuese dhe pika 2.4);
– Njëri nga anëtarët e këtij Komisioni Intervistues ka qenë i shkarkuar më parë nga detyra e drejtorit për keqpërdorim të detyrës;
– Transferimet e drejtorëve prej një shkolle në tjetrën, pa kurrfarë procedura ligjore, shkelje e rëndë ligjore;
– Pranimi i punëtorëve të pakualifikuar me kontrata ne vepër;
– Zmbrapsja nga qëndrimi i prerë për ndalimin e kurseve më nxënës;
Shkollat pa material harxhues, prolongimi të moszgjidhjes së kompanisë furnizuese;
– Centralizmi i menaxhimit të financave të shkollave;
– Vlerësimi i vëllimit të sasisë së lëndëve djegëse, përkatësisht druve, jo në mënyrën e duhur, sërish fryhen sasitë e druve në letër(faturë).
Prandaj duke i marrë për bazë të dhënat e lartshënuar, Ju bëjmë me dije të gjithëve se Lëvizja Vetëvendosje! nuk flet asnjëherë të pavërteta dhe nuk merret as me thash e thëna, por në vazhdimësi flet vetëm me gjuhën e argumenteve dhe gjithmonë prezanton dhe e paraqet gjendjen reale, edhe përkundër që për shumë kënd mund të jetë e hidhur.
Lëvizja VETËVENDOSJE!