Vetëvendosje: Mustafa e Thaçi s’po kundërshtojnë Serbinë por opozitarët
Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje Visar Ymeri mbajti sot konferencë për media ku paraqiti, sipas itj, cilat janë dëmet e shumta nga dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, të filluar në vitin 2011, dhe për marrëveshjet e arritura përgjatë këtij dialogu.
Secila marrëveshje që ka kërkuar zbatimin edhe nga Kosova edhe nga Serbia, ka ngecur. Kudo ku është kërkuar që zbatimi të jetë vetëm në anën e Kosovës, marrëveshjet kanë përparuar. “Pra, ka zbatim të njëanshëm të marrëveshjeve, dhe atë veç nga Republika e Kosovës. Kudo ku është kërkuar që Serbia të heq dorë nga ndërhyrjet ilegale në Kosovës, Serbia nuk e ka bërë një gjë të tillë, dhe nuk po e bën as sot. Madje këtë e pranon edhe vetë Qeveria e Kosovës, përmes raportit të përmbledhur lidhur me zbatimin e marrëveshjeve që e ka dërguar në Bruksel”, tha Ymeri, duke shtuar se këto ditë jemi dëshmitarë të një marrëveshjeje të negociuar disa herë, asaj për lirinë e lëvizjes, e që ende nuk është hequr barrikada, edhe pse ishin dakorduar kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë.
Ymeri theksoi se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë i ka sjellë shumë dëme Republikës së Kosovës, në çdo aspekt, me ç’rast është fuqizuar Serbia brenda Kosovës. “E kemi pasur një klimë politike në Kosovë, që me gjithë problemet e veta ka qenë e ndryshme në cilësi me atë që kemi sot, veçanërisht në raportin që kanë serbët e Kosovës me institucionet e Republikës së Kosovës. Deri në marrëveshjen e vitit 2013, partitë politike të serbëve të Kosovës kanë paraqitur një politikë autentike të serbëve të Kosovës, diku më shumë të integruar e diku më shumë në pajtueshmëri me Republikën e Kosovës. Nga viti 2013, sot kemi përfaqësim plotësisht të ndryshëm të serbëve të Kosovës në institucionet e Republikës së Kosovës. Lista Serbe jo vetëm që nuk i përfaqëson serbët e Kosovës, por në ligjërimin publik as nuk pretendon se i përfaqëson këta serbë, por interesat e Serbisë brenda Kosovës. Ky ndryshim është rezultat i dialogut në Bruksel dhe marrëveshjeve të arritura me Serbinë”, u shpreh Ymeri.
Në dokumentin e marsit të këtij viti, Qeveria e Kosovës i ka 4 kushte për nisjen e bisedimeve për themelimin e “Zajednicës”: Shpërbërja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë; Zbatimi i marrëveshjeve për drejtësinë; Shpërbërja e të ashtuquajturës “mbrojtje civile”; dhe largimi i barrikadës në urën e Mitrovicës. Në gusht, përveç që pranuan të negociojnë pa u plotësuar këto kushte, ata edhe nënshkruan marrëveshje për themelimin e “Zajednicës”. Të gjitha këto marrëveshje të arritura në Bruksel po e dëshmojnë edhe njëherë se çfarë forme ka ky dialog i Kosovës me Serbinë. Në këtë dialog Kosova domosdoshmërish do të humbë. Është dialog ku të gjitha temat kanë të bëjmë me rregullimin institucional dhe territorial brenda Kosovës. Çfarëdo marrëveshje nga ky dialog, domosdo dëmton Kosovën. Fakti që po zbatohen marrëveshjet njëanshëm, vetëm e shton dëmin karshi Republikës së Kosovës.
“Vazhdimisht, rregullat nuk po vlejnë njësoj për të dyja palët. Rregullat vlejnë për Kosovën, por jo edhe për Serbinë. Kosova i merr përsipër dhe i zbaton marrëveshjet, por jo edhe Serbia. Pastaj edhe në rregullimin e brendshëm, rregullat nuk vlejnë njësoj edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës. Kemi një pabarazi të skajshme asimetrike mes pozicionit të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Përderisa rregullat vlejnë për shqiptarët dhe pakicat tjera që jetojnë në Kosovë, ato nuk vlejnë njësoj për pakicën serbe që jeton në Kosovë, e veçanërisht jo për strukturat ilegale të Serbisë”, tha në fund Ymeri.
