DYLON

Vetëvendosje: Mikëpritje e solidaritet për emigrantët

Avatar photo Redaksia

Jemi dëshmitarë se pas Pranverës Arabe, konfliktit të përgjakshëm në Siri, fushatës çnjerëzore të Shtetit Islamik, dhe mjerimit social të vendeve të pazhvilluara afrikane, këto dy vitet e fundit në veçanti, mund të karakterizohen si vite të masivizimit të refugjatëve dhe migrantëve në drejtim të Evropës. Këtij numri të madh të migrantëve dhe refugjatëve i shtohet edhe një numër i konsiderueshëm i migrantëve dhe refugjatëve nga shtetet ballkanike, sidomos Kosova, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Maqedonia e Serbia. Të gjithë këta janë të shtrënguar nga rrethanat dhe shtypjet e caktuara politike, sociale e ekonomike që t’i lëshojnë vendet e tyre, në përpjekje për ta gjetur një jetë më të mirë nëpër vendet e zhvilluara të Perëndimit.

Kështu thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje, ku më tutje theksohet se ikja masive e miliona njerëzve nga vendet e tyre, luftërat, rritja e formave të ndryshme të fashizmit e ksenofobisë paraqesin fytyrën e vërtetë të asaj që ne rëndom e quajmë globalizim, por që në fakt është neoliberalizmi i globalizuar.

EkoHigjiena

Por ajo që kemi parë sidomos nëpër shtetet ku ata kalojnë për të mbërritur aty ku dëshirojnë, është një qasje përgjithësisht jomikpritëse dhe ksenofobe nga ana e autoriteteve të shteteve përkatëse, të cilat mbase edhe po tolerojnë dhe po bashkëpunojnë me trafikantët dhe përfituesit e ndryshëm të kësaj tragjedie, në vend se t’i ndëshkojë ata.

Duke filluar nga Greqia, përmes Maqedonisë e deri te Hungaria, migrantët dhe refugjatët përjetojnë mungesën elementare të trajtimit të dinjitetshëm dhe të garantuar me konventa ndërkombëtare. Madje shteti i Sllovakisë, i cili është pjesë e BE-së, mbajti qëndrim edhe më racist, duke ua mohuar mundësinë e strehimit refugjatëve dhe migrantëve në baza të përkatësisë fetare. Të drejtat e tyre shkelen shpesh dhe ata ushqehen e strehohen keq. Për me keq, ndonjëherë ndodh që të përjetojnë edhe dhunë, siç ishte rasti i turpshëm i rrahjes së refugjatëve nga policia në kampet e Maqedonisë, apo edhe dhunën e vazhdueshme të padukshme strukturore të përdorimit të tyre si mall tregtie, në emër të ilegalitetit të tyre.

Neve na duhet një Evropë e ndërtuar mbi vlerat e solidaritetit, humanizmit dhe ndihmës për të tjerët që janë në hall e në nevojë. Trajtimi njerëzor i refugjatëve dhe migrantëve është parakusht i një shoqërie të drejtë dhe i një shteti demokratik, thuhet në fund të komunikatës të Lëvizjes Vetëvendosjes.