Vetëvendosje me tone kritike për cilësinë në arsim

Gjilan – (2LONLINE) – Të gjithë, jo vetëm në Gjilan, por edhe në gjithë Kosovën, shprehen me tone kritike për cilësinë në arsim. Kjo po dëshmohet për çdo vit. Kjo vjen si rezultat i politikave jo të duhura arsimore nga qeveria por edhe më keq shkon puna kur as këto politika çfarë janë nuk gjejnë zbatimin të duhur në praktikë në shkollat tona, qoftë në nivelin e ulët, të mesëm  a të lartë.

Kështu është shprehur për Portalin Informativ 2LONLINE.com  Nevzad Isufi,  nënkryetar i parë  i Lëvizjes vetëvendosje, Qendra në Gjilan. Sipas tij,  Vetëvendosje gjatë vitit që e lamë pas shumë herë ka theksuar  të metat dhe dobësitë e  caktuara me qëllimin më të mirë që ato të evitohen  në tërësi ose të përmirësohen, por megjithatë nuk është bërë shumë në këto fusha.

Isufi tha se ndonëse u përmbyllet viti kalendarik, për shkollimin  para fillor të mesëm dhe të lartë  përmbyllja e viti është atëherë kur përfundon viti shkollor dhe viti akademik , atëherë kur shihen rezultatet përmbyllëse të një viti mësimor.

“Po ndalemi vetëm në çështjen e provimit kombëtar që është një kurorë përmbyllëse e rezultateve të shkollimit të mesëm në nivel vendi, e cili në fillim ka qenë një pasqyrues real i këtij suksesi, më vonë ka filluar të degradohet aq shumë sa që për çdo vit po shkohet  kah  bërja e tij vetëm  formalitet.  Ndonëse mangësitë në formulimin e tij kanë ardhur duke u përmirësuar për çdo vit,  aplikimin e tij në praktikë ka ardhur duke u përkeqësuar për çdo vit deri në shkallë të skandalozitetit sa që vihet shumë në pikëpyetje objektiviteti i tij”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, ai po mbahet në vende të pa përshtatshme si p. sh në hallat e mëdha sportive. Tolerohet  kopjimi,  ndihma nga brenda e nga jashtë. Lejohet që edhe pas afatit të paraparë, provimi kombëtar të mbahet edhe për një numër të vogël nxënësish në këtë ose atë shkollë etj, duke rrezikuar kështu, nxjerrjen e përmbajtjen e  testit  jashtë, gjë që është dashur të mbetet « top sekret »  deri në ditën e testimit. Të gjitha këto forma të aplikimit të testit kombëtar hapin mundësinë që në krye të listave për kalueshmëri të jenë nxënës të cilët janë të shkathët në kopjime e manipulime, ndërsa nxënësit të cilët mbështeten në dijet reale të nxënë të  mbesin pas tyre.

‘Askund nuk shihen proklamimet qeveritare për prioritetin në arsim. Shumë projekte mbeten të pafilluara, të tjera të pa përfunduara e të parealizuara me kohë për më shumë se dy vjet, ndonëse disa prej tyre janë dhurime të huaja.  Në disa shkolla mungesa ka edhe në inventarin themelor si banka e karrige. Ka shkollë që përdorë ulëse pa mbështetëse të cilat për nxënësin që qëndron katër pesë orë në to shndërrohet në mundim të madh, me mundësi të deformimi të boshtit kurrizor”, ka thënë Isufi.

Sipas tij,  mungon  me të madhe literatura e duhur, me theks të veçantë në shkollat profesionale, madje mungojnë tekstet bazë për shumë drejtime e profile, mungojnë kabinetet përkatëse dhe mjetet për realizimin e praktikës profesionale.

Isufi shprehet tutje se në komunën  e Gjilanit, ende s’duket në horizont as fillimi i projektit për kufizimin e hapësirave që përbëjnë kompleksin e shkollave të mesme si dhe të disa objekteve ndihmëse infrastrukturore për shkollat. Kjo do të krijonte  shumë siguri në shkollat tona. Nxënësit duhet të jenë të sigurt edhe në  hapësirat, oborret  e shkollës, por edhe arsimtarët në mënyrë që mos t’i ekspozohen ndonjë rrezik a sulmi siç edhe kanë ndodhur.

‘Edhe më tutje nuk krijohen kushte për shkollat tona që të kenë pedagogun e psikologun, që përditë duket se janë shumë të nevojshëm. Edhe më tutje drejtorëve nuk u lihen kompetenca të mjaftueshme lidhur me masat disiplinore, gjë që po e bënë tejet formal ekzistimin dhe efektshmërinë e tyre”, ka thënë ai.

Sipas Isufit të Vetëvendosjes, edhe më tutje arsimtarët nuk paguhem për shumë punë që bëjnë. Nuk u paguhet ora e kujdestarisë gjatë gjithë periudhës së pasluftës, mbajtja e administratës, nuk është u janë paguar as në shkallë vendi  borxhi i dy muajve pas rritje virtuale prej 50% aq shumë të reklamuar e që të gjithë e dimë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur, ndonëse tash po marrin premtime tjera.

“Natyrisht që është dashur të kemi edhe një analizë komplete të suksesit të këtij gjysmëvjetori të parë, por ende nuk i kemi ato komplete për të gjitha nivelet, por një gjë duhet ta dimë se të gjithë varësisht prej kompetencave kemi, jemi përgjegjës për sa dhe si është bërë edhe për sa nuk është bërë”, ka thënë Isufi.

Sipas tij, Gjilanit nuk i janë dashur as skandalet e emërimeve e shkarkimeve e as ato të përmasave të konflikteve fizike në shkolla, të cilat reflektojnë situatën serioze jo vetëm në shkolla por në përgjithësi.

“Do të donim që  ktë vit të kemi më  pak probleme dhe me një qasje më të drejt dhe më me përkushtim në të gjitha çështjet e jo vetëm të arsimit”, ka thënë Nevzad Isufi, nënkryetar i parë  i Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan. /2lonline/

KOMENTE

WORDPRESS: 0
DISQUS: 0