(2L ONLINE) – Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan përmes një ekspozite ka shpalosur letërkëmbimin e saj me komunën, përkatësisht kërkesat e saja drejtuar adresave të ndryshme në Komunë, duke e akuzuar qeverisjen komunale për mos transparencë e si rrjedhojë edhe për mos efikasitet në punë.
Ismajl Kurteshi i ka thënë Portalit 2L ONLINE, se deri më tani janë 49 shkresa që Vetëvendosje i ka adresuar institucioneve të ndryshme komunale, zyrës së kryetarit, drejtorive përkatëse… dhe se përkundër që e kanë obligim ligjor të e kthejnë përgjigjen, i kanë marr vetëm 8 sosh.
Sipas Kurteshit, edhe ato përgjigje që i kanë marr nuk janë ku me ditë se çfarë përgjigje, gjë që, sipas të parit të Vetëvendosjes në Gjilan, është tregues se ky pushtet nuk ka të bëjë fare me transparencë, përkundrazi është jo transparente të skajshmërisht ndaj qytetarëve, ngase kërkesat e Vetëvendosjes janë në fakt kërkesa të vet qytetarëve të komunës.
Ndërkohë, që u ekspozuan kërkesat e tilla që të shihen edhe nga qytetarët, aktivisti i kësaj Lëvizjeje Ilir Hoti tha se pavarësisht se me rregulloren për transparencën në Komunën e Gjilanit, e cila saktëson qartë se çdo kërkese drejtuar Kryetarit të Komunës, por edhe organeve tjera më të larta ekzekutive, brenda 30 ditësh duhet kthyer një përgjigje çfarëdo qoftë ajo, megjithatë kjo nuk ka ndodhur në Komunën e Gjilanit.
“Kjo qeverisje, në mungesë të punëve të mira, projekteve, investimeve kapitale, zhvillimit ekonomik, mirëqenies më të mirë të qytetarëve, zbutjes së papunësisë dhe varfërisë, gjithnjë e më shumë po shkon drejt dështimit dhe humbjes së shpresës së qytetarëve të kësaj komune për një jetë më të mirë. Fare lehtë mund ta kuptojë dhe shikojë gjithsecili, se sa vërtetë kërkesa janë drejtuar, e në anën tjetër sa përgjigje kemi pranuar. Mungesa e transparencës dhe e llogaridhënies, bashkë me keqqeverisjen dhe keqpërdorimin e parave të qytetarëve, janë fytyra e vërtetë e LDK-së dhe Lutfi Hazirit në Gjilan”, tha aktivisti Ilir Hoti.
Ndërkaq aktivisti tjetër i Lëvizjes Vetëvendosje!, Yll Islami, ka thënë se edhe përgjigjet e komunës shpesh nuk janë vërtet përgjigje, me përjashtim të 2 -3 drejtorive dhe se ajo që shkruhet në ato ose nuk ka lidhje me pyetjen ose zyrtarët që përgjigjen nuk e respektojnë atë që vetë e thonë po e ilustrojmë me përgjigjen e kryetarit të komunës, në shkresës së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me zyrat e subjekteve politike. /2L ONLINE/