/2L ONLINE/ – Aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje organizuan sot aksion simbolik pranë Gjykatës Kushtetuese, ku vendosën pankartën e ilustruar me fytyrën e Enver Hasanit në stemë, si dhe mbishkrimin Kushtetuta e Republikës së PDK-së .
Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Zgjim Hyseni, tha se Kushtetuta është akti më i lartë juridik i një vendi. Republika e Kosovës miratoi kushtetutën e saj 7 vite më parë. Në vend se Kosova të shënonte progres në ndryshim të neneve të Kushtetutës të cilat i shkelin të drejtat e qytetarëve të Kosovës, ajo u ndryshua sa herë që i duhej dhe i konvenonte pushtetit.
“Me Enver Hasanin si kryetar të Gjykatës Kushtetuese, Kushtetuta e Republikës së Kosovës është shndërruar në instrument që i hap rrugën dhe e legalizon praninë e Serbisë në Kosovë, por edhe i zgjatë jetën pushtetit të PDK-së. Enver Hasani i ka shërbyer PDK-së kur ka bërë interpretimin për grupin më të madh parlamentar, i ka shërbyer edhe kur ka interpretuar mbi mandatarin e Qeverisë, por kulmi i skandaleve të tij është falsifikimi i kuorumit që ka bërë me rastin e zgjatjes së mandatit mbi gjyqtarët ndërkombëtarë. Me këtë rast nuk po flasim për shkelje procedurale, por kemi të bëjmë me vepër penale”, ka thënë hyseni.
Sipas tij, është e papranueshme që aktin më të lartë juridik e politik të shtetit ta lemë në dorë të një njeriu aq të ulët si Enver Hasani. Që Kushtetuta ku afirmohet integriteti territorial e institucional të mbetet në mëshirën e një aparatçiku pa integritet si Enver Hasani.
“Kjo është edhe një arsye më shumë pse duhet protestuar më 18 prill kundër kapjes së shtetit”, ka thënë Hyseni i Vetëvendosjes. /2L ONLINE/