Shqiptarët në Kumanovë kanë nevojë për ndihmë institucionale të Kosovës e të Shqipërisë. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Qeveria e Republikës së Shqipërisë nuk mund ta kenë ditë pushimi këtë fundjavë. Serbia e Milosheviqit shumicën e masakrave në Kosovë në vitet ’98 e ’99 i ka kryer pikërisht në fundjavë kur njerëzit pushojnë. Presidenti i Maqedonisë Ivanov u kthye nga Moska dhe po e mbledh sonte Këshillin e Lartë të Sigurisë. Madje edhe Kryeministri i Serbisë Vuçiq i ka thirrur në mbledhje koordinuese sektorët e sigurisë. Qeveritë në Tiranë e Prishtinë nuk guxojnë të bëjnë sehir e të njoftohen me dromca lajmesh televizive që kapërcejnë terrin informativ të imponuar nga Gruevski, thuhet në një komunikatë të lëvizjes Vetëvendosje..
‘Ndërkohë kemi parë mobilizim të madh të Qeverisë së Serbisë, duke dërguar qindra policë, në kufi me Maqedoninë dhe Kosovën. Kumanova e lidh Luginën e Preshevës me Shkupin, prandaj Gruevski e Vuçiqi duan ta zbrazin atë e ta lënë pa shqiptarë. Tashmë dhjetëra familje shqiptare nga Kumanova janë shpërngulur në Preshevë e në Shkup. Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës duhet të reagojnë kundër shtetrrethimit të shqiptarëve në Kumanovë nga Gruevski dhe kundër kërcënimeve dhe luftënxitjes së Vuçiqit dhe Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Anekënd kufirit Kosovë-Serbi-Maqedoni janë vendbanime me shqiptarë. Asnjë fjalë nuk e thanë e asnjë veprim nuk e bënë Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës për këtë”.
Më tej në këtë komunikatë thuhet edhe se politikanë e krerë të ndryshëm shqiptarë të institucioneve e partive politike po bëjnë thirrje për qetësi e durim të shqiptarëve. Prishtina dhe Tirana zyrtare kanë reaguar sikur të ishin në pozicionin e neutralitetit të diplomatëve të huaj, duke mos ndjerë kurrfarë përgjegjësie për mbrojtjen e shqiptarëve prej terrorit policor që po ushtrohet ndaj tyre në Maqedoni. Ata ose kanë harruar ose nuk duan ta kujtojnë që qetësia dhe durimi i shqiptarëve kurrë nuk ua ka ndërruar mendjen armiqve të tyre. Shqiptarët nuk mund të jenë të qetë e të durueshëm teksa shtypen politikisht, shfrytëzohen ekonomikisht, diskriminohen kulturalisht dhe tash edhe rrethohen nga policia e armatosur rëndë që bastis shtëpitë shqiptare e arreston edhe fëmijë e pleq.
“Po ashtu, konsiderojmë që është i papranueshëm qëndrimi i faktorit shqiptar në Qeverinë maqedone, ku BDI-ja u bën thirrje shqiptarëve që të mos bien pre e provokimeve ndërkohë që vetë BDI-ja është në këtë Qeveri antishqiptare që po bën kërdi mbi lagjet shqiptare në Kumanovë. Deri më tani kemi parë deklaratat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Maqedonisë ku nuk përmenden fare të arrestuarit shqiptarë nga Kumanova e as emrat e të lënduarve. Nga familjarët dimë se të paktën tre familje gjenden në Shkup të arrestuar ku përfshihen të moshuar 80 vjeçar deri tek fëmijët 3 vjeçar. Ata duhet të lirohen sa më parë dhe emrat e numrat e viktimave shqiptare duhet të bëhen publike”, thuhet tutje n ëkomunikatën e Vetëvendosjes..
Në kohën kur Qeverisë së Gruevskit po i konvenon lufta e armatosur kundër shqiptarëve të paarmatosur, e vetmja zgjidhje politike për shqiptarët e Maqedonisë është organizimi qytetar masiv që në sheshet e Shkupit të rrëzohet Qeveria shtypëse e Gruevskit, thuhet në fun të komunikatës të lëshuar nga Lëvizja vetëvnedosje.