Vetëvendosje: Kryetari i Gjilanit po bëhet gaz i botës me mirënjohje të rrejshme

Vetëvendosje: Kryetari i Gjilanit po bëhet gaz i botës me mirënjohje të rrejshme

Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, ua kanë ngjitur në dyer të selisë, kryetarit të Gjilanit, Lutfi Hazirit, “mirënjohjet” ironizuese, për ta kritikuar kështu për mirënjohje dhe dekorata të cilat po i merr, e që sipas Vetëvendosjes, janë të rrejshme dhe jepen nga organizatat fantome, transmeton 2LONLINE.

Ndërkohë, që sipas tyre, kryetari i Komunës Lutfi Haziri, nuk po i mbanë zotimet dhe premtimet e tija, karshi qytetarëve të Gjilanit dhe pikërisht për këto, në mënyrë ironizuese, ata ua kanë shpërndarë një grumbull “mirënjohjesh”, me të cilat ia kanë “mbyllur” derën, e objektit ku ndodhet selia e kryetarit të komunës.

Aktivisti i Vetëvendosjes, Adem Ajvazi ka thënë se kryetari i komunës Lutfi Haziri po bëhet gaz i botës me dekoratat dhe mirënjohjet e rrejshme që po i merr nga organizatat fantome, andaj edhe këta kanë ndërmarrë këtë aksion për ti sjellë “mirënjohje”, identike, të barasvlershme me to, për ta ironizuar kështu për dështimet, zotimet dhe premtimet e papërmbushura.

Ai tha se pas billboardit të rrejshëm në Kanada në dhjetor 2015, mirënjohjes së rrejshme gjashtë dollarësh nga Donald Trump, mirënjohjes nga organizata fantome Komiteti Botëror i Paqes, sirtarit të Lutfi Hazirit I është shtuar edhe një dekoratë, njëjtë si ato pararendëse, e rrejshme, nga organizata e shoqata fantome, u duke u bërë përsëri gazi i botës.

Ajvazi tha se e ashtuquajtura Akademia Universale e Paqes Globale, nga e cila Lutfi Haziri ka marrë çmimin “Nelson Mandela” gjoja se me motivacion promovimin e paqes, është organizatë fantome e cila nuk ka asnjë lidhje me Organizatën e Kombeve të Bashkuara ashtu siç pretendohet. Udhëheqësit e kësaj organizate fantome, tashmë janë të njohur për median e publikun e gjerë me mashtrimet e çmimet e rrejshme edhe për personalitete të tjera publike në Kosovë.

“Prej se fitoi mandatin e kryetarit nuk është dukur në kryerjen e detyrës së tij, dhe mospërmbushjen e zotimeve e premtimeve të tij ka vendosur ta zëvendësoj me çmime e dekorata të rrejshme. E meqë, kryetari i komunës i ka në qejf mirënjohjet e dekoratat dhe i merr aq seriozisht, edhe nëse ato janë të rrejshme, atëherë, ne kemi menduar që zotimet e premtimet e tij dhënë qytetarëve të Gjilanit në fushatë zgjedhore t’I kthejmë në mirënjohje. Ne i kemi sjellë disa çmime e dekorata për kryetarin, që për nga serioziteti janë identike me ato që ka marrë kohëve të fundit”, ka thënë Ajvazi, transmeton 2LONLINE.

Ai shtoi se mes “mirënjohjeve” të sotme janë mirënjohja e banorëve të qytetit mbi kundërmimin e ujërave të zeza të cilat po vazhdojnë të mos trajtohen seriozisht, mirënjohje për gropat e shumta në qytet e në fshatra, mirënjohje për drejtorët e kësaj qeverisje që më shumë kalojnë kohë në Prokurori e Gjykata se në vendet e tyre të punës, mirënjohje për Palestrën e sporteve në Zhegër, që për 4 vite punë është ndërtuar vetëm një pjesë ë themelit, mirënjohje për Shtëpinë ë Kulturës në Përlepnicë që nuk u ndërtua kurrë, mirënjohje për ndërtimet pa leje që e kanë bërë Gjilanin një kaos urbanistik e për shumë e shumë premtime të parealizuara në çdo lagje të fshatit e çdo pjesë të qytetit, mirënjohjet që janë të llojeve të ndryshme, formateve e dizajnëve të ndryshme, urojmë që t’i plotësojnë sirtarët e kryetarit të komunës, në mënyrë që të ndalet nga ky ofendim që po ju bëhet qytetarëve të Gjilanit me dekorata e çmime të rrejshme.

“Nëse edhe këto nuk I mjaftojnë kryetarit, atëherë aktivistët e Lëvizjes do të sajojnë edhe dekorata të tjera në mënyrë që të kënaqin apetit e kryetarit Haziri. Krejt në fund, I bëjmë thirrje kryetarit të komunës, që t’i ndalë këto tentativa për mashtrim, e të merret me hallet e problemet e shumta të qytetarëve të Gjilanit. Qytetarët e Gjilanit nuk meritojnë një kryetar që mashtron, por një kryetar që punon për zgjidhjen e halleve të tyre”, ka thënë në fund aktivisti i Vetëvendosjes, Adem Ajvazi.

 


KOMENTE