Shteti i Kosovës është shndërruar në plaçkë, e cila po copëtohet e po ndahet midis partnerëve të koalicionit qeverisës. Nuk ka mbetur asnjë pjesë e buxhetit shtetëror, administratës dhe e sektorit publik e cila nuk po plaçkitet prej subjekteve qeverisëse, ndërkohë që shtresat e gjera popullore gjithnjë e më shumë varfërohen, thuhet në një kumtesë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Institucioni i fundit që po e dëshmon këtë logjikë të kapjes është Policia e Kosovës. Ky institucion që duhet të ishte në shërbim të publikes, është mbushur me militantë të partive, të cilët nuk hezitojnë të abuzojnë edhe me ligjin, për të zbatuar urdhrat e eprorëve të tyre. E së fundi, me integrimin e “Mbrojtjes Civile” në shtetin e Kosovës edhe Lista Serbe po e merr hisen e vet në shtetin e kapur të Kosovës, bashkë me PDK e LDK të cilët e ndanë shtetin porsi një plaçke të tyre nëpërmjet marrëveshjes për koalicion të 8 dhjetorit 2014.
Kjo qeveri e ‘Zajednicës’ nuk u shqetësua aspak për të vërtetuar se çfarë kanë bërëkëta persona të sapopunësuar në Policinë e Kosovës para luftës, gjatë luftës e pas luftës. Këtë e themi duke e ditur se pjesëtarët e Mbrojtjes Civile i paguan e i kontrollon Beogradi.
Po vërtetohet sërish qëndrimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE! se dialogu në Bruksel nuk po i integron serbët në Kosovë, por po integron Serbinë dhe strukturat e saj në shtetin gjithnjë e më të varur të Kosovës.
E për më keq, ky “integrim” i strukturave paralele të Serbisë në policinë e Kosovës, është edhe një skandal ekonomik.Në një vend si Kosova, ku papunësia është enorme dhe ku për një vend pune aplikojnë me qindra qytetarë, sot po pranohen pa konkurs paramilitarët serbë të“Mbrojtjes Civile”.Punësimi i tyre me rrogëqë del nga buxheti i Kosovës, pa konkurs e thjesht përmes marrëveshjes politike me Serbinë, është gjithsesi një krim ndaj të varfërve shqiptarë, boshnjakë, turq, romë, ashkalinj, egjiptas etj. pra, ndaj të gjithë atyre që s’janë serbë e nuk i shërbejnë Serbisë.
Kjo polici e cila integron ish-kriminelët e të gjitha llojeve, nuk mund të jetë në shërbim të drejtësisë, thuhet në fund të kumtesës së Vetëvendosjes.