Vetëvendosje kërkon nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin urgjentisht veprimet efektive për të pas ujë!

Vetëvendosje kërkon nga institucionet përgjegjëse të ndërmarrin urgjentisht veprimet efektive për të pas ujë!

“Qysh në muajin qershor të këtij viti, qyteti i Gjilanit u ballafaqua me krizën e ujit duke hyrë kështu në gjendje emergjente të furnizimit me ujë të pijshëm. Kjo gjendje ka ardhur për shkak të thatësirës që ka mbizotëruar gjatë gjithë muajve të nxehtë të verës”.

Ndërkohë, që si rezultat i kësaj gjendje alarmante, kryetari i komunës Lutfi Haziri ka krijuar Task Forcën, e cila ka pasur për obligim të gjejë zgjidhje për tejkalimin e krizës. Por, çfarë në të vërtetë ka bërë kjo Task Forcë dhe si ka qenë furnizimi me ujë të pijshëm gjatë këtyre muajve?!”, thuhet në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje, Qendra në Gjilan.

Sipas këtij subjekti politik, vazhdimisht në media kemi lexuar apele që kanë ardhë si nga kryetari i komunës si nga akterët e tjerë komunal, duke bërë thirrje për ruajtjen dhe shtimin e kujdesit me konsumimin e ujit të pijshëm. Ndërkohë që pos apeleve, nuk kemi parë as hapa konkret dhe as masa konkrete, për ndërmarrjen e veprimeve që e zbusin gjendjen emergjente me ujin e pijshëm në Komunën e Gjilanit.

“Fundja, për çfarë është kryetari i Komunës? Për të bërë apele, apo për të vepruar me masa konkrete në këtë drejtim. Dhe tjetra, cila është puna e Task Forcës, të cilët realisht deri më tani nuk kanë marrë asnjë veprim konkret, pos që kanë mbajtur disa takime sa për sy e faqe”, thuhet tutje në reagim.

Sipas Vetëvendosjes, takimi i parë i Task Forcës së gjerë është mbajtur më 26 qershor. Ky takim është organizuar nga zyra e kryetarit të komunës dhe në të kanë marrë pjesë rreth 100 persona. Ky takim ku është dashur të diskutohet për planin e veprimit në mënyrë që kriza të arrijë të menaxhohet me sukses dhe qytetarët të kenë furnizim të rregullt me ujë të pijshëm, ka sjellë dy konkluzione dhe një faturë të majme që është dashur të paguhet në fund.

Konkluzionet që kanë dalë nga ky takim kanë qenë:

1. Janë caktuar afatet e punës për zgjidhjen emergjente të problemit dhe është kërkuar që puna të kryhet brenda afateve të caktuaraa
2. Të gjendet një zgjidhje afatgjate e ujit të pijshëm

“Ndërkohë, një fakt qesharak që vjen si rezultat i këtij takimi, është konkluzioni që është nxjerrë nga përfaqësues të sektorit të ujërave që funksionon në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, të cilët kanë kërkuar që të ndërmerren masa për zgjidhjen e problemit me ujin e pijshëm, së pari për institucionet, e pastaj për qytetarët.

Kjo është absurde! Si mund të anashkalohen qytetarët dhe nevojat e tyre, e të gjendet zgjidhje së pari për institucionet. Kjo Task Forcë, e cila ka pasur një plan veprimi për menaxhimin e situatës, pos paraqitjeve mediatike, nuk ka rezultuar me asnjë aktivitet efektiv, ndërkohë që gjendja me ujin e pijshëm vetëm sa ka shkuar duke u përkeqësuar”thuhet tutje në reagimin e Vetëvendosjes.

Sipas saj, zgjidhja e krizës ekziston. Mjafton që kryetari i komunës të tërheqë nga fondi i emergjencave mjetet e nevojshme që nevojiten për hapjen e puseve dhe funksionalizimin e atyre ekzistues. Nëse kjo do të ndodhte, qytetarët nuk do të ballafaqoheshin sot me mungesën e ujit të pijshëm, e as me reduktimet e vazhdueshme, të cilat në disa lagje zgjasin edhe deri në një javë.

Sipas veprimeve të ndërmarra deri më sot, është bërë vetëm inspektimi i keqpërdorimit të ujit si dhe inspektimi i kycjeve ilegale që kanë vazhduar të ndodhin pavarësisht situatës. Asnjë rezultat praktik efektiv nuk është arritur. Përkundrazi, sipas të dhënave që i kemi nga burime zyrtare, nëse bëjmë krahasimin e periudhës së njëjtë me atë të vitit të kaluar, i bie që shumë më shumë është shpenzuar ujë këtë vit, edhe pse kemi qenë në gjendje krize gjatë gjithë kohës.

“Prandaj, ne si Lëvizje Vetëvendosje, kërkojmë nga menaxhmenti që të marrin masa adekuate, parandaluese. Në vetëm dimë që duke filluar prej kryetarit, e të tjerëve përfaqësues institucional që janë të përfshirë në këtë mes, e kanë shfrytëzuar rastin të promovohen në fatkeqësi. Me apele të njëpasnjëshme dhe pa masa konkrete efikase, e kanë kaluar qershorin, korrikun, po e kalojnë edhe gushtin dhe as edhe një pus i vetëm nuk është hapur që sadopak do të ndikonte në lehtësimin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon nga kompetentët përgjegjës, që sipas përgjegjësive, kompetencave dhe mundësive përkatëse ti ndërmarrin urgjentisht veprimet e duhura dhe efektive për sanimin e situatës së krizës së krijuar si dhe të ndërmarrin veprimet e duhura afatmesme preventive për të penguar përsëritjen e situatave të krizave të furnizimit me ujë. Sepse e dimë faktin që Komuna e Gjilanit ka deficit të madh të kapaciteteve të rezervave të ujit për pije, vetëm duhet plan konkret i veprimit dhe masa adekuate”, thuhet në fund të reagimit.

KOMENTE