Sot, rreth orës 11:00, Policia e Kosovës shkoi për ta arrestuar në shtëpinë e tij, aktivistin e Vetëvendosjes Valdrin Ahmeti. Pas ekspress-dënimit të djeshëm të një qytetari që nga mllefi kishte “kërcënuar” ministrin dhe djalin e kryeministrit, sot u tregua edhe njëherë që efektiviteti policor është i jashtëzakonshëm kur bëhet fjalë për kryeministrin, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.
Sipas kësaj Lëvizjeje, ky veprim i policisë, e cila po e kërkon për ta arrestuar aktivistin Valdrin Ahmeti, vjen pasi që të njëjtin aktivist vetë Isa Mustafa e përmendi me emër në emisionin “DEBAT” në RTK, më 28 gusht 2015.
“Pra, është e qartë që Isa Mustafa është shndërruar në kryepolic që jep urdhëra se kënd ta arrestojë policia, kënd ta dënojë urgjentisht gjykata, ndaj kujt të hapen hetimet, etj. Ky kryepolic, e ka vënë të gjithë sistemin në shërbim të tij, familjes, pronave dhe ministrave të tij. Ky nuk është kryeministër i qytetarëve të Kosovës thuhet në fund të reagimit të Vetëvendosjes.