DYLON

Vetëvendosje: Instrumentalizimi i Policisë së Kosovës nga pushteti

Avatar photo Redaksia

Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot konferencë për media ku u fol për instrumentalizimin e Policisë së Kosovës nga pushteti. Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosje-s, Mirsad Shkreta, tha se Policia e Kosovës ka kohë që është shndërruar në një institucion të kapur nga pushteti dhe po përdoret ndaj kundërshtarëve politikë të drejtuesve të Qeverisë.

“Intervenimet e Policisë, sidomos në 5 muajt e fundit janë kryekëput politike dhe në funksion të mbrojtjes së koalicionit LDK-PDK-Srpska si dhe të projekteve të tij kryesore: “Zajednicës” dhe demarkacionit me Malin e Zi. Policia e Kosovës nuk e lufton krimin dhe korrupsionin, veprime këto që i bën çdo polici në shtetet demokratike, por ka angazhuar gjithë arsenalin e saj në shtypjen e opozitës dhe arrestimin e aktivistëve e deputetëve të saj”, tha Shkreta.

EkoHigjiena

Ai shtoi se instrumentalizimin e Policisë së Kosovës e mundëson fakti që drejtuesit e këtij institucioni janë bashkëpjesëmarrës në krim e korrupsion.

“Ata janë pjesë e grupeve kriminale që drejtohen prej udhëheqësve të kësaj qeverie dhe lehtësojnë zhvillimin e kriminalitetit në vendin tonë. Këtu kemi një foto të Rashit Qalajt, drejtor i Departamentit për Operacione – pra një nga personat kyç në Policinë e Kosovës, i cili është veçanërisht drejtues i operacioneve policore ndaj protestave dhe opozitës – ku ky person shihet krah Elmi Reçicës, njërit nga njerëzit kryesorë të SHIK-ut. Fotoja është bërë gjatë një ndeje miqësore në vilën luksoze të Elmi Reçicës në Shtrazë të Kaçanikut. Rashit Qalaj njihet për afërsinë e tij të ngushtë me Elmi Reçicën dhe Kadri Veselin dhe është e qartë që operacionet policore i kryen në bazë të urdhrave politikë nga këta persona”, theksoi Mirsad Shkreta.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës përveç që po përdoret si mjet i dhunës ndaj opozitës, po përdoret edhe si mjet propagandues në favor pushtetit. Rastin më të freskët e kemi atë të deklarimit të shifrave të rrejshme nga zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani.

“Me një polici të tillë, të kapur nga partitë në pushtet, Kosova po shndërrohet në vend totalitar. Kjo është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet nga populli i Kosovës”, tha në fund Shkreta.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.