Vetëvendosje ia numëron gropat pushtetit në Gjilan

Vetëvendosje ia numëron gropat pushtetit në Gjilan

Lëvizja Vetëvendosje, Qendra në Gjilan, sot përmes një aktivitetit në qendër të qytetit ka kritikuar qeverisjen komunale për gropat e shumta që janë në qytetin e Gjilanit.

Adem Ajvazi, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje tha se e kanë organizuar këtë aktivitet, jo për t’i bërë thirrje kryetarit të Komunës së Gjilanit dhe institucioneve përgejgëse që të reflektojnë, sepse e kanë obligim ta bëjnë, por për t’i paralajmëruar qytetarët për vendet ku mund të kenë rreziqe nga gropat në rrugë, transmeton 2LONLINE.

“E dimë, që komuna “ndanë” mijëra euro për dhënien e tenderit për sinjalizimin e rrugëve, ndërsa na detyron neve që në baza vetanake të vëmë shenja sinjalizuese mbi mijëra gropa që gjenden në qytetin  tonë. Këto gropa që dikur ishin të vogla, sot u rritën edhe për nga forma edhe për nga numri, e Gjilanit në vend se t’i rriteshin investimet e ndërtimet e infrastrukturës, i janë rritë gënjeshtrat, mashtrimet dhe manipulimet me qytetarët e saj”, ka thënë Ajvazi.

Përndryshe, ai tha se si gjatë verës po ashtu edhe gjatë dimrit po kemi problem në rrugët tona të qytetit. Verës rrugët e dëmtuara dhe të pamirëmbajtura, asnjëherë të pastruara, madje askush nuk ka qenë i përzgjedhur për t’i mirëmbajtur ato. Dhe edhe në periudhën e dimrit, rrugët nuk pastrohen nga bora dhe akulli, dhe për këtë kemi ankesa të shumta nga qytetarët, madje i kemi parë të publikuara edhe në rrjetet sociale, jo vetëm me fjalë por edhe me fotografi.

Ajvazi tha tutje se tash kur bora është shkrirë duket se në çfarë gjendje janë rrugët tona, gjithandej gropa, ca prej rrugëve tashmë me ujë e brenda tyre gropa të njëpasnjëshme, në të cilat qytetarët me automjetet e tyre e kanë shumë të vështirë të ecin.

“Çështja e shtrimit të rrugëve, ka qenë prioritet i çdo qeverisje në Gjilan, por të jetë prioritet edhe për një “kryetar” që krenohet se po mbanë mandatin e tij të dytë, në fakt është dështim dhe turp karshi qytetarëve të komunës tonë. Shtrohet pyetja çfarë bënë drejtoria e shërbimeve publike, pse qytetaret detyrohen të paguajnë çdo vit taksen e mirëmbajtjes rrugore, kur i kemi rrugët në këtë gjendje”, ka thënë ai, transmeton 2LONLINE.

Aktivisti i Vetëvendosjes tutje ka thënë se fatkeqësisht, qytetarët e Gjilanit më shumë janë mashtruar sesa që i janë realizuar kërkesat e tyre të kthyera në premtime te fushatave zgjedhore të Lutfi Hazirit.

“Shumë rrugë janë shkatërruar, me pretekstin se po ndërtohen, duke e shkatërruar edhe trotuarin dhe duke ia bërë gati se të pamundur qasjen e kalimtarëve në to, e sidomos tani gjatë muajve të dimrit”, ka thënë tutje Ajvazi.

Ai ka kujtuar se janë afër 40 mijë vetura në Gjilan që paguajnë çdo vit nga 10 euro taksë komunale për mirëmbajtjen e rrugëve. “Nëse nuk po shfrytëzohen për sanimin e rrugëve, atëherë ku po shkojnë paratë e qytetarëve të Gjilanit?”, pyet, Adem Ajvazi i Vetëvendosjes.

Përndryshe, nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, panoja me sinjalizimin “Kujdes rrugët me shumë gropa”, është vendosur në rreth në qendër të qytet, afër selisë së kryetarit të komunës, ndërsa shenja të tjera sinjalizuese “kujdes gropa”, janë vendosur në vende të ndryshëm ku kishte gropa.

KOMENTE