DYLON

Vetëvendosje-Gjilan: Të bëhemi bashkë që të mos lejojmë themelimin e “Zajednicës”

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Lëvizja Vetëvendosje Qendra Gjilan, përmes një komunikate ka kërkuar nga qytetarët e Anamoravës të bëhen bashkë për të mos lejuar krijimin e siç thuhet “Zajednicës”, e cila , sipas kësaj Lëvizjeje e copëton Kosovën dhe edhe kjo pjesë humb shumë, pasi me themelimin e “Zajednicës”, Anamorava humbet kontrollin në ujërat mineralë të Kllokotit, në Minierën e Artanës, në bukuritë natyrore të Stanishorit, Dragancës e Makreshit, e të tjera, që do të menaxhohen sipas vullnetit dhe nevojës së “Zajednicës”…

Më tej thuhet : “Më se 10 vite më parë, qytetarët e Anamoravës u përballen me decentralizimit etnik që po planifikohej të bëhej në këtë zonë. Decentralizimi etnik është veç rindarje e brendshme e Kosovës, ku më shumë theksohen kufijtë e brendshëm mes komunave me shumicë serbe dhe komunave tjera, sesa kufijtë e jashtëm të Kosovës në raport me Serbinë.

EkoHigjiena

Fshatrat e Anamoravës që ishin me shumicë serbe i lidhën mes vete duke krijuar komuna të reja me shumicë serbe, për ta rrethuar mes tyre Anamoravën, dhe për t’ia ndërprerë asaj vazhdimësinë territoriale me Luginën e Preshevës.

Gjilani nga 515 km2 sa i kishte, i humbi 123 km2. Komuna e Artanës u trefishua, vetëm e vetëm që shqiptarët të mbesin pakicë, ashtu që të mund të quhet komunë me shumicë serbe. U copëtuan Gjilani, Dardana e Vitia, për t’u krijuar Parteshi, Ranillugu, Kllokoti dhe Artana e zgjeruar. Në vitin 2009, qytetarët e rajonit të Anamoravës grumbulluan mbi 30.000 nënshkrime në peticionin kundër decentralizimit, peticion ky që nuk u mor parasysh as nga institucionet qendrore e as nga ato lokale.

Në fillet e këtij decentralizimi, qeveritarët thoshin se ky është çmimi që duhet paguar për pavarësinë, por tash është e qartë se decentralizimi ishte veç kapar, si garancion për “Zajednicën”.

Komunat me shumicë serbe i delegojnë kompetenca “Zajednicës”. Njashtu edhe Qeveria e Kosovës. Në këtë mënyrë, “Zajednica” do të funksionojë si shtet brenda shtetit të Kosovës, duke bërë ndarje institucionale, juridiko-kushtetuese, territoriale dhe ekonomike, si dhe do të ketë polici e gjyqësi të ndara etnikisht. Nga momenti i themelimit të saj, asnjë institucion i Kosovës nuk do të mund ta shuaj më. Territori fillestar i saj do të jetë veriu i Kosovës. Në vend se Qeveria e Kosovës të punonte në integrimin e pjesës veriore të Kosovës, ashtu që të mund të quheshim shtet sovran, përmes negociatave të vazhdueshme me Serbinë u bë shumëzimi i veriut nëpër pjesët tjera të Kosovës. Decentralizimi etnik e bëri Anamoravën terren për një veri të dytë, ku do të synojë të zgjerohet “Zajednica”, për të marrë kështu më shumë territor e pasuri.

Pra, me themelimin e “Zajednicës”, Anamorava humbet kontrollin në ujërat mineralë të Kllokotit, në Minierën e Artanës, në bukuritë natyrore të Stanishorit, Dragancës e Makreshit, e të tjera, që do të menaxhohen sipas vullnetit dhe nevojës së “Zajednicës”. Prandaj, qytetarët e Anamoravës tani duhet të bëhen bashkë më shumë se kurrë, ashtu që të mos lejojmë themelimin e “Zajednicës”, e cila i rritë edhe më tutje problemet e decentralizimit, duke pamundësuar kështu zhvillimin e mirëqenien, si dhe duke i thelluar ndarjet etnike.

“Zajednica” është në proporcion të zhdrejtë me Anamoravën, me Kosovën. Sa më e madhe të jetë ajo, aq më e vogël e më e copëtuar do të jetë Kosova. E që Kosova të mos copëtohet, “Zajednica” nuk duhet të ekzistojë. Të gjithë bashkë, kundër “Zajednicës”, për Kosovën”. /2L ONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.