DYLON

VETËVENDOSJE! është zgjidhja për Gjilanin, Anamoravën dhe Kosovën

Avatar photo Redaksia

Në tubimin e madh me qytetarët e Gjilanit Lëvizja VETËVENDOSJE! sot prezantoi kandidatët për deputetë nga kjo anë, të cilët janë Besnik Bislimi, Ismajl Kurteshi, Shemsi Syla, Hydajet Hyseni Kaloshi, Besa Baftiu, Naser Berisha dhe Përparim Muja, duke dhënë porosinë e qartë që Lëvizja VETËVENDOSJE! është Alternativa e Kosovës.

Tubimin e hapi Ismajl Kurteshi, i cili tha se gjatë këtyre ditëve të fushatës u pa se qytetarët e Kosovës , të Anamoravës e të Gjilanit nuk u besojnë më këtyre pushtetarëve. Këtyre qytetarëve nuk mundet më askush t’ua blejë ardhmërinë me një darkë që bën më pak se 5 euro, andaj Gjilani dhe Anamorva janë përcaktuar për ndryshim të mirëfilltë, tha Kurteshi. Ai tha se Gjilani sot po i ngjan Prishtinës së 1 dhjetorit. “Me Albin Kurtin kryeministër Kosova nga një vend i izoluar dhe i korruptuar do të shndërrohet në një shtet me demokraci dhe zhvillim ekonomik. Qeveria e VETËVENDOSJE!-s nuk do t’i përdorë problemet e Kosovës Lindore vetëm për fushata elektorale, por do të punojë për t’i zgjidhur ato”, tha në fund Ismajl Kurteshi.

EkoHigjiena

Ndërkaq, Dardan Sejdiu, në fjalën e tij tha se sot po e vazhdojmë jo vetëm rrugën që e kemi nisur qe 5 ditë, por që nga viti 2005, të bazuar në parimet tona, për një republikë të bazuar në shtet zhvillimor, një republikë të të gjithëve, me ekonomi të bazuar në prodhim vendor, me pabarazi të zbutur e me solidaritet. Ne në Alternativën tonë propozojmë që TVSH-ja të jetë zero për mallra bazike për jetë, sepse besojmë se këto prodhime mund të zëvendësohen me prodhime vendore. “Ky vend ka pritur qe 15 vite një model ekonomik që do të krijojë vende pune. Ky model do të vijë pas datës 8 qershor, me një republikë parlamentare, me një qeverisje të qytetarëve dhe për qytetarët, me rroga dinjitoze e me mirëqenie për të gjithë”, tha në fund Sejdiu.

Kandidatja e Gjilanit Besa Baftiu iu tha gjilanasve se jemi bashkë këtu se na ka bashkuar koncepti dhe programi Lëvizjes VETËVENDOSJE! për një shtet më të mirë për të gjithë ne. “Nëse duam shëndetësi e arsim cilësor, rend dhe ligj, si dhe zhvillim ekonomik, atëherë Alternativa është Lëvizja VETËVENDOSJE!. Ne jemi garanca që gruaja nuk do të diskriminohet në shoqëri. Me Alternativën tonë pushimi i lehonisë do të jetë 12 muaj me pagesë në mes të dy prindërve”, përfundoi ajo.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se Gjilani me kandidatët e mrekullueshëm që i ka, janë siguria që Lëvizja VETËVENDOSJE do të udhëheqë me përkushtimin më të madh e me njerëzit më të ndershëm. Ai tha se subjektet e tjera veç po i përsërisin premtimet e fushatave të kaluara, kurse Lëvizja VETËVENDOSJE! ofron zhvillim ekonomik dhe republikë me sovranitet. Sipas tij, të tjerët nuk hezitojnë të hyjnë në koalicion me njëri tjetrin vetëm për pushtet, kurse ne e duam pushtetin t’i shërbejmë popullit. “Paramendoni një qeveri, kur ju nuk duhet t’i paguani 10 euro për të ardhur në radhë, një qeveri që ua kthen letrën kur ju ankoheni, që nuk u kërkon haraç bizneseve, një qeveri që kujdeset për interesat e pensionistëve si një gjeneratë që e kanë ndërtuar Kosovën, një qeveri që nuk i diskriminon gra e vajza, një qeveri që garanton një ardhmëri për fëmijët tuaj, e kjo qeveri është Qeveria e VETËVENDOSJE!-s”, porositi Shpend Ahmeti.

Ndërkaq kryetari Albin Kurti tha se sot në Kosovë kemi sindikata pa punëtorë e punëtorë pa sindikata, shkolla pa arsim spitale pa shërim, bujq pa tokë e tokë pa bujq. “Janë shumë gjera për t’u ndryshuar andaj VETËVENDOSJE! është edhe zgjedhja edhe zgjidhja, edhe ndryshimi edhe zhvillimi, edhe për Gjilanin, edhe për Kosovën”, tha Kurti. Sipas tij, qeverisja e VETËVENDOSJE!-s do ta ndihmojë prodhuesin tonë, bujkun tonë, punëtorin, sportistin, që ata të jenë ne garë të barabartë me të tjerët e jo të diskriminuar. Sa shumë ka punë në Kosovë aq ka papunësi në Kosovë, tha ai, sepse vendi i punës në Kosovë është temë partiake e jo ekonomike dhe politike. Lëvizja VETËVENDOSJE edhe ka edhe është alternativë. “Më 8 qershor do të sigurohemi që do të qeverisë shumica e kurrë më nuk do të na sundojë pakica”, tha ai. Ai shpjegoi se si në vend se të ndërtohen fabrika që do ta shtronin edhe asfaltin pastaj, ne u kemi ndërtuar autostrada fabrikave të huaja. Andaj, Kurti tha se Lëvizja VETËVENDOSJE! do ta ndryshojë këtë rrënjësisht.

Duke iu referuar kryeministrit në ikje, Kurti tha se është shumë e qartë që Hashim Thaçi po fundoset ngadalë, mirëpo po e shtrëngon në dorë Kosovën. “Ne duhet t’ia heqim Kosovën nga dora dhe t’ia japim Isa Mustafën le ta mbajë atë , e ne t’ia kthejmë republikën qytetarëve”, tha ai.Ashtu sikurse Lëvizja VETËVENDOSJE! që e ka listën më të mirë, ashtu edhe qeverisja e VETËVENDOSJE!-s do ta ketë qeverinë më të mirë të prbërë jo vetëm nga Lëvizja VETËVENDOSJE, por edhe ekspertë, sepse vetëm bashkë mund të qeverisim drejtë.

“Fitorja e VETËVENDOSJE!-s, ashtu siç do ta zhvillojë Gjilanin dhe Kosovën, do ta ndihmojë edhe Preshevën, Bujanocin e Medvegjën”, tha ai, kurse drejtësia jonë do të jetë e bazuar në moral dhe atdhedashuri, si pikënisje për vullnet politik, e këtë mund ta bëjmë vetëm ne sepse as PDK e as LDK nuk kanë as moral e as atdhedashuri, potencoi Albin Kurti. Ai i porositi qytetarët se tash është koha për të gjitha këto ndryshime, andaj tash është koha që të votohet numri 35, të votohet Lëvizja VETËVENDOSJE!.

/ e sponsorizuar/