/2L ONLINE/ – Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan mbajti sot konferencë për media ku shpërfaqi disa nga problemet që po ia shkakton Komunës ekzekutivi. Këto ditë ishte paraparë që Kryetari i Komunës të raportojë në Kuvendin Komunal, me kërkesë të tij, mirëpo prapë se prapë ai nuk u paraqit në seancë. Më pas, drejtorët e drejtorive komunale kanë vërshuar portalet për të promovuar “punën” e tyre nëntëmujore, duke folur për rezultate të mëdha, pothuaj në të gjitha fushat, ka thënë Nevzad Isufi, shefi i Grupit të Këshilltarëve të Vetëvendosjes në Kuvnedion Komunal të Gjilanit.
“Ata flasin për suksese të mëdha, për suksese të jashtëzakonshme, krenohen me rezultatet e tyre, të cilat as ne, por as qytetarët për çudi, as nuk po i prekin, as po i ndjejnë, dhe as nuk po i shohin”, tha asamblisti Nevzad Isufi, teksa fliste për punë të shumta, sipas tij, të pakryera nga drejtoritë komunale.
Duke folur për Buletinin e Komunës, ai tha se në të janë hiç më pak se 75 fotografi të Kryetarit Haziri, dhe 44 tituj fillojnë me emrin e tij. Pra, sipas Isufit, kemi të bëjmë ekskluzivisht me një reklamë të vetvetes, vizitave të tij jashtë vendit, takimeve me ministra e qeveritarë të tjerë. Assesi kjo nuk mund të quhet Buletin i Komunës, por reklamë e fotografive të Kryetarit të Komunës”.
Në seancën e Kuvendit Komunal u diskutua edhe për raportin e Drejtorisë së Arsimit, mirëpo nuk u dha përgjigje për punësimet pa konkurs të 33 punëtorëve të arsimit në më se 20 shkolla të qytetit e të fshatrave.
“Nuk u dhanë përgjigje për transferet pa kritere nga një shkollë në shkollën tjetër. Nuk u dha përgjigje për zvarritjet e mëdha në renovimet e ndërtimet e sallave të edukatës fizike. Nuk u dha përgjigje për punësimet e ndërsjella të anëtarëve të familjeve të drejtorëve e funksionarëve të tjerë të komunës. Nuk u dha përgjigje për punësimet me kontratë në vepër në arsim Nuk u dhanë përgjigje për dështimet e regjistrimit të nxënësve në shkollën e agrobiznesit dhe regjistrimin e vonuar të disa nxënësve e hapjen e paraleleve e drejtimeve të reja në disa shkolla, e të tjera”, theksoi Isufi.
Aktivisti Leonard Miftaraj tha se Gjilani po qeveriset nga një grusht i vogël njerëzish e me vendime ad hoc. “Dëshmi mbi këtë që po e them e keni rrugën “Mulla Idrizi”, pikërisht afër shtëpisë se Kryetarit të Komunës, ku për herë të tretë brenda një kohe shumë të shkurtër po punohet. Mungesa e informacioneve mbi investimet kapitale, njëkohësisht mungesa ne regjistrat e pasqyrave financiare të aseteve fikse, tregon shumë mbi efikasitet dhe përqendrimin qeverisës në Komunën tonë”, tha Miftaraj.
Ai shtoi se mungesa e shënimeve ne procesverbalet e Kryetarit në takimet me zyrtarët e tjerë te komunës, vërejtje kjo edhe nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, dëshmon se vendimet e Komunës merren në telefon apo jashtë zyrave nga grupe të ndryshme të interesit.
“Kuotimi i çmimeve nga Zyra e Prokurimit për ta shmangur konkurrencën si në rastet e furnizimit me teknologji informative vlera 30,990€, për pastrimin e shkollave vlera 21,000€ euro si dhe furnizimin me kamera sigurie vlera 16,212€, janë indikatorë të shumë problemeve në vazhdimësi. E njëjta praktikë është edhe tek subvencionet, ku kemi monitorim të dobët dhe mungesë të raporteve se a janë shfrytëzuar subvencionet konform propozimeve dhe qëllimeve te ndarjes”, tha në fund Miftaraj. /2L ONLINE/