Vetëvendosje e nominon Alban Hysenin kandidat për kryetar komune
Alban Hyseni, kreu i Vetëvendosjes në Gjilan, që njëherësh është edhe kryetar komune, ka marrë bekimin e Kryesisë së Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Gjilan, për të qenë i nominuar kandidat për kryetar komune, në zgjedhjet që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.
Nominimi i tij, për të kërkuar besimin qytetar për të dytën herë, për pozitën e kryetarit të Komunës së Gjilanit, u bë me praninë edhe të liderit të Vetëvendosjes, kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Mbështetja e palëkundur e Lëvizjes dhe vlerësimi i Kryeministrit për qeverisjen në Gjilan është një nder dhe përgjegjësi e madhe. Gjatë takimit, u veçuan projektet konkrete që kanë prekur drejtpërdrejt secilin qytetar dhe çdo pjesë të komunës sonë si dëshmi e punës së përkushtuar dhe orientimit të qartë drejt zhvillimit, ka thënë Alban Hyseni, transmeton 2LONLINE.com.
Ai tha se kjo kandidaturë merr një domethënie të veçantë, pasi vjen në vitin jubilar të 20-vjetorit të Lëvizjes Vetëvendosje, që hapat e parë të funksionimit dhe organizimit politik i bëri pikërisht në Gjilan.
”Është nder i veçantë që ky qytet, që dikur ishte ndër bazat fillestare të veprimit të Lëvizjes, sot të jetë shembull i qeverisjes së përgjegjshme dhe zhvillimit të qëndrueshëm”, ka thënë Hyseni.
Ai bëri me dije se në javët në vijim, do të prezantojnë programin dhe projektet e tyre për katër vitet e ardhshme, sipas tij, plane të ndërtuara mbi përvojë, vizion dhe nevojat reale të qytetarëve të Gjilanit. /2LONLINE/
