DYLON

Vetëvendosje: Dhuna e mbrëmshme në Maqedoni ka adresë – Gruevskin dhe Ivanovin

Maqedoni
Avatar photo Redaksia

Në lidhje me ngjarjet e mbrëmshme dhe situatën e krijuar në Maqedoni, Lëvizja Vetëvendosje mbajti sot një konferencë për media, ku folën deputetët Glauk Konjufca dhe Albin Kurti.

Nënpërfaqësimi i shqiptarëve atje dhe antishqiptarizmi i qeverisë së Nikola Gruveskit dhe presidentit George Ivanov janë shkaktarët që e bëjnë jashtëzakonisht të vështirë pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

Konjufca tha se politikat e partisë VMRO, e udhëhequr nga Gruevski, kanë qenë vazhdimisht të orientuara kundër shqiptarëve, gjë e cila ka bërë që shkalla e emigracionit të tyre të jetë shumë e lartë, siç është edhe papunësia në mesin e shqiptarëve që jetojnë në këtë shtet.

EkoHigjiena

Konjufca tha se masat institucionale atje e pamundësojnë edhe përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa aktet brutale të vazhdueshme përgjatë viteve ndaj shqiptarëve i quajti veprime të bandave të Gruevskit. Si dhe, shtoi se unifikimi i shqiptarëve pas zgjedhjeve të fundit dhe platforma me kërkesat elementare që iu takojnë, ka unifikuar edhe politikën antishqiptare maqedone.

“Ajo që e pamë dje në Maqedoni nuk ishte hyrje e popullit në Parlament. Ajo ishte hyrje e bandave të Gruevskit në Parlament. Dhe, kështu ndodh kur policia shërben si bazë logjistike për hyrjen e militantëve të VMRO-së në Parlament, dhe jo si një institucion përtej partive politike dhe shtetëror, i cili duhej ta mbronte konstituimin demokratik të Kuvendit të Maqedonisë”, theksoi Konjufca, dhe njëkohësisht tha se Vetëvendosje e dënon dhunën e Gruevskit dhe solidarizohet me gjithë deputetët e lënduar.

Kurse deputeti Albin Kurti tha se mbrëmë ka ndodhur një grushtshtet në Shkup, për të cilin tha se ende nuk mund të konsiderohet i suksesshëm apo i dështuar. Zhvillimet në vijim – vazhdoi deputeti Kurti – varen edhe nga reagimet tona, posaçërisht në Tiranë e në Prishtinë. Kritikoni reagimet e buta të liderëve institucionalë të Kosovës. Ndërsa i uroi shërim sa më të shpejtë kryetarit LR-PDSH-së, Ziadin Sela, i cili ishte nga deputetët më të lënduar.

“Dhuna nuk mund të dënohet në mënyrë të përgjithshme. Ajo ka adresë: Ivanovin dhe Gruevskin, ata që e kanë kapur shtetin duke e zvogëluar në minimum demokracinë e duke e rritur në maksimum shovinizimin kundër shqiptarëve. Të gjithë ishin dëshmitarë se mbrëmë policia ka ndërhyrë me vonesë dhe hezitim. Ajo më shumë kujdesej për depërtimin e paramilitarëve të VMRO-DPMNE-së, jo pak prej të cilëve kishin edhe maska, sesa për Kuvendin, deputetët shqiptarë dhe ata të LSDM-së”, tha Kurti, duke theksuar se si Kryetari i ri i Kuvendit Talat Xhaferi, mori besimin e 67 deputetëve, por ai u dëbua nga foltorja dhe ulësja e tij.

Ndër të tjera, Kurti tha se ngjarjet e mbrëmshe janë paralajmëruar me 1 mars të këtij viti nga Presidenti i Maqedonisë, George Ivanov, i cili pati thënë që nuk ia jep mandatin Zaevit për shkak të Platformës Shqiptare. E ngjarjet e mbrëmshme treguan se sipas Ivanovit, Maqedonia jo vetëm se nuk mund të ekzistojë pa i shtypur shqiptarët, por edhe pa i shtypur kaq shumë sikurse tani.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.